
Një situatë sa absurde aq edhe e pazakontë ka shoqëruar protestën e zhvilluar në Zvërnec, ku në fund nuk janë përplasur vetëm protestuesit me kompaninë private të sigurisë, por edhe Policia e Shtetit me Policinë e Vlorës.
Drejtori i Policisë së Vlorës, Elidon Çela, është pezulluar nga detyra pasi Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë publikoi një njoftim që më pas u përgënjeshtrua nga vetë Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.
Në reagimin e parë zyrtar, Policia e Vlorës deklaroi se një protestues, i identifikuar me inicialet E.S., ishte futur me forcë brenda rrethimit të kantierit dhe më pas ishte shoqëruar nga punonjësit e sigurisë private, gjatë së cilës iu shkaktuan dëmtime trupore.
Por pas publikimit të pamjeve dhe reagimeve të shumta në rrjetet sociale, versioni zyrtar ndryshoi.
Në një njoftim të dytë, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit kërkoi ndjesë publike, duke sqaruar se qytetari në fjalë nuk ishte futur me forcë në kantier, ndryshe nga sa ishte raportuar nga Policia e Vlorës.
“Besimi i publikut për Policinë e Shtetit është vlera më e rëndësishme dhe cenimi i tij nuk mund të justifikohet në asnjë rast”, thuhet në reagimin zyrtar të Policisë së Shtetit.
Pavarësisht se institucioni theksoi se pjesa tjetër e komunikatës së Policisë së Vlorës ishte korrekte, gabimi u konsiderua mjaftueshëm serioz për të sjellë pezullimin e menjëhershëm të drejtorit vendor.
Ndërkohë, lidhur me pretendimet e ngritura nga protestuesit për kantierin në Zvërnec, Policia e Shtetit deklaroi se territori i rrethuar rezulton pronë private me dokumentacion të rregullt ligjor dhe se çdo mosmarrëveshje mbi pronësinë apo zhvillimin e saj duhet të ndiqet përmes rrugëve gjyqësore.
Në fund të gjithë kësaj historie, mbetet një pyetje e thjeshtë: nëse qytetarët zakonisht presin që policia të përgënjeshtrojë lajmet e rreme, çfarë ndodh kur policia detyrohet të përgënjeshtrojë vetveten?, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE
