LAJME / E Premte 21 Gusht 2026, 17:05

Misteri i sherrit në Ksamil, flasin miqtë e portugezit: Sokrat Vata po ngacmonte një grua, Mendes hyri për ta mbrojtur dhe ...

Detaje të tjera kanë dalë në dritë nga hetimet për vrasjen e 20-vjeçarit portugez Luis Miguel Varela Mendes, i cili humbi jetën pas një konflikti të ndodhur në zonën e plazhit “Principotes” në Ksamil, në orët e para të 18 gushtit.

Mediat e huaja kanë publikuar dëshmitë e miqve të viktimës, të cilët sjellin një version të ri për mënyrën se si i riu u përfshi në konflikt. Sipas tyre, Mendes fillimisht nuk kishte qenë pjesë e përplasjes, por kishte ndërhyrë pasi kishte parë një grua që po shqetësohej nga disa persona.

Miqtë e tij pretendojnë se 20-vjeçari u përpoq të qetësonte situatën dhe të ndalonte ngacmimin ndaj gruas. Mes personave që, sipas këtij versioni, ndodheshin në grup ishte edhe Sokrat Vata, truproja i kompleksit, i cili tashmë është arrestuar dhe po hetohet si i dyshuari kryesor për vrasjen.

Ky version ndryshon nga deklarimet që Vata ka dhënë përpara grupit hetimor. Ai ka pretenduar se tensionet nisën për shkak të sjelljes së grupit të turistëve dhe se atyre iu kërkua të ruanin qetësinë, por situata përfundoi në një konfrontim fizik.

Një nga pikat kryesore të dëshmisë së Vatës lidhet me armën e krimit. Ai pretendon se thika nuk ishte e tij, por ndodhej fillimisht në duart e turistit portugez dhe se gjatë përleshjes kishte arritur t’ia merrte.

Pikërisht këto versione të ndryshme po verifikohen nga hetuesit, të cilët po punojnë për të përcaktuar se çfarë ndodhi në minutat përpara vrasjes dhe cili ishte roli i secilit prej personave të përfshirë.

Ngjarja e rëndë e kishte zanafillën mbrëmjen e 17 gushtit. Mendes dhe miqtë e tij kishin shkuar në “Principotes”, ku po zhvillohej një festë me DJ francezë. Gjatë natës situata u tensionua dhe një debat përfundoi në një përplasje të dhunshme.

Sipas të dhënave të deritanishme të hetimit, turisti portugez dyshohet se fillimisht është goditur fizikisht nga disa punonjës të lokalit dhe nga David Gjana, një klient i kompleksit, i cili është shpallur në kërkim dhe konsiderohet një tjetër person i dyshuar për përfshirje në vrasje.

Më pas në konflikt dyshohet se ka ndërhyrë Sokrat Vata. Hetuesit dyshojnë se ai e ka nxjerrë 20-vjeçarin jashtë ambienteve të lokalit dhe gjatë përplasjes e ka goditur me thikë.

Trupi i Luis Miguel Varela Mendes u gjet mëngjesin e 18 gushtit në zonën e shezlongëve të plazhit. Plagët e marra gjatë konfliktit rezultuan fatale për të riun.

Pas ngjarjes, Vata u largua nga Ksamili. Kërkimet e Policisë çuan në lokalizimin e tij rreth pesë orë më vonë në Levan, ku u gjet i fshehur në bagazhin e një automjeti në të cilin udhëtonin edhe dy shtetas turq.

Hetimi është zgjeruar edhe ndaj personave të tjerë që ndodheshin në kompleks në momentin e ngjarjes ose dyshohet se kanë pasur rol në atë që ndodhi më pas.

Policia ka shpallur në kërkim David Gjanën dhe Bekim Bulicën, pronarin e “Principotes”, ndërsa 11 persona të tjerë janë arrestuar në kuadër të hetimeve.

Grupi hetimor po krahason dëshmitë e personave të pranishëm me provat e administruara për të përcaktuar motivin fillestar të konfliktit, momentin kur situata kaloi në dhunë dhe rrethanat e sakta në të cilat 20-vjeçari portugez mori goditjet fatale, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE