
Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka nisur me prishjen e objekteve që pengojnë vijimin normal të punës për ndërtimin e aksit rrugor nga Kashari drejt Nyjes së Vaqarrit.
Një godinë 1 katëshe ishte objekti i parë i shembur ndërsa pronari u trajtua sipas ligjit në rastet e shpronësimit për interes publik.
Nyja e Kasharit është konceptuar për t’i dhënë akses të drejtpërdrejtë rrjetit të autostradave zonës me rritjen më të shpejtë të aktiviteteve industriale dhe tregtare në periferi të Tiranës.
Aktualisht, bizneset dhe automjetet që operojnë në këtë zonë mbështeten kryesisht në rrugët dytësore përgjatë autostradës Tiranë–Durrës, duke krijuar ngarkesë të lartë trafiku. Ndaj, qeveria po zhvillon këtë projekt me vlerë 16 milionë euro.
Bypassi i Tiranës bën ndërlidhjen me Korridorin Adriatiko-Jonian, Thumanë–Kashar dhe më pas me Kashar–Lekaj, si dhe me autostradën Tiranë–Durrës dhe autostradën e Elbasanit, duke shmangur hyrjen e automjeteve tranzit në Tiranë.
Nyja e re është projektuar si një interchange i tipit diamant, me dy rrethrrotullime të lidhura përmes një nënkalimi, të cilat komunikojnë me autostradën nëpërmjet rampave dhe me rrjetin lokal të rrugëve.
Sipas projektit, kjo zgjidhje është përzgjedhur për të përballuar flukset e pritshme të trafikut dhe për të rritur kapacitetin e aksesit në zonë.
