LAJME / E Mërkurë 16 Shtator 2026, 22:10

MARIN MEMA me apel emocionues: Sot është koha për t’u bërë bashkë! Sot është koha që përtej çdo ndasie, të jemi shqiptar!

Një vendim që ka shkaktuar reagime të forta dhe ka rikthyer debatin për drejtësinë, historinë dhe sakrificën e Kosovës.

Përtej verdiktit të Hagës, mesazhi që po përcillet është një thirrje për unitet mes shqiptarëve, në një moment që shumë e konsiderojnë të rëndë dhe emocional. A është kjo koha që dallimet të lihen mënjanë dhe shqiptarët të bëhen bashkë?

Lexoni në vazhdim postimin e tij:

Koha për t’u bërë bashkë!
Ka momente kur një gjykatë nuk jep vetëm një vendim.
Jep edhe një goditje ndaj të vërtetës!
Sot, në Hagë, në dhomat e specializuara, u dënuan katër prej figurave kryesore të UÇK-së.
Por bashkë me ta, në sytë e shumë shqiptarëve, u vërtetua qartë, se gjykata të tilla nuk bëjnë drejtësi!


Kosova nuk është një dosje.
Është një popull i plagosur.
Është një tokë e mbushur me varre.
Është heroinë e një luftë që lindi nga një padrejtësi shumë më e madhe se vetë ajo që sot u gjykua. Kosova është toka e bijve që luftuan për liri, duke e ngjyer atë tokë me gjakun e tyre! Kosova është toka e shenjtë e shqiptarëve!


Haga mund të ketë dhënë një verdikt të sajin, por historia nuk është pronë e Hagës dhe asnjë gjykate të specializuar!
Historia është e atyre që e jetuan.
E atyre që humbën jetën.
E atyre që luftuan
E atyre që mbijetuan.
E atyre që ende kujtojnë.


E çdo shqiptari që e detyrojnë sot të qëndrojë i ndarë…
Dhe kur drejtësia nuk arrin të bindë ndërgjegjen, mbetet një plagë që asnjë aktgjykim nuk mund ta mbyllë!
Sot është koha për t’u bërë bashkë! Sot është koha që përtej çdo ndasie, të jemi shqiptar!
Të dashur miq mund ta shpërndani sa të keni dëshirë.??
(Për mediat, Ju lutem nuk lejohet kopjimi i shkrimit përmes ndryshimit të titullit!)