LAJME / E Mërkurë 16 Shtator 2026, 23:11

Dënimi i ish-krerëve të UÇK-së/ Zv.kryeministri shqiptar i Malit të Zi: Vendim i padrejtë, procesi nuk ka përfunduar

Zv.kryeministri shqiptar i Malit të Zi, Nik Gjeloshaj, ka reaguar pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Përmes një reagimi në Facebook, Gjeloshaj e cilësoi vendimin si “jashtëzakonisht të padrejtë”, duke theksuar se bëhet fjalë për një vendim të shkallës së parë dhe se procesi gjyqësor vijon.

“Lajm shumë i keq dhe një vendim jashtëzakonisht i padrejtë! Sot mund të jetë ditë zie për shqiptarët, por qëndrimi dinjitoz i të akuzuarve i jep forcë popullit shqiptar që ta përballojë këtë dhimbje, me besimin se ky aktgjykim i tmerrshëm do të rrëzohet në instancat më të larta”, shkroi Gjeloshaj.

Ai u shpreh se beson që në përfundim të procesit do të dëshmohet pafajësia e të akuzuarve, ndërsa e cilësoi luftën e UÇK-së si “vetëmbrojtëse, çlirimtare dhe të drejtë”.

“Lufta e UÇK-së ishte vetëmbrojtëse, çlirimtare dhe e drejtë. Ishte luftë për mbijetesën, lirinë dhe shtetin e Kosovës, e përkrahur nga aleatët tanë perëndimorë”, tha ai.

Gjeloshaj theksoi gjithashtu se ish-krerët e UÇK-së i kanë respektuar institucionet ndërkombëtare të drejtësisë dhe se do ta vijojnë betejën ligjore.

“Shqiptarët dhe vetë të akuzuarit i kanë respektuar institucionet ndërkombëtare. Ata as nuk kanë ikur, as nuk janë fshehur, por janë paraqitur para drejtësisë dhe do ta vazhdojnë betejën e tyre ligjore deri në fund”, përfundoi ai.