LAJME / E Hënë 21 Shtator 2026, 09:09

"Jo në emrin tim", Ledri Vula ngre në këmbë protestuesit me fjalimin për ish-krerët e UÇK-së

Prishtina është veshur me ngjyrat e flamurit kombëtar dhe simbolet e arta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në ditën e pestë të protestës në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së të dënuar nga Gjykata Speciale.

Një flamur i madh kuq e zi është shpalosur nga protestuesit, mes tyre edhe Endrit Thaçi, djali i Hashim Thaçit si dhe Klestor Veseli, djali i Kadri Veselit.

Në mbështetje të tyre kishte shkuar edhe këngëtari Ledri Vula. Teksa iu drejtua të pranishmëve, Vula rrëfeu se si e kishte përjetuar luftën e Kosovës si fëmijë, ndërsa u bëri thirrje shqiptarëve të protestojnë edhe jashtë shtetit.

“Po ju flas si një fëmijë që e ka përjetu luftën në Kosovë. Shumica prej juve nuk keni qenë të lindur kur ka ndodhur lufta në Kosovë. Faleminderit krejtve që keni ardhur. Jam prek shumë kur i kom pa çdo post që e ka bo çdo shqiptar që nuk jeton në Kosovë”, u shpreh ai.

“Jo në emrin tim”, e mbylli fjalën e tij këngëtari, duke kundërshtuar togfjalëshin me të cilin u njoftua dënimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së nga Gjykatësi Special në Hagë, “Në emër të popullit të Kosovës…”.