LAJME / E Diel 24 Maj 2026, 18:06

Sulmi mbi rezidencën e ambasadorit shqiptar në Kiev, kjo është raketa që përdori Rusia, pothuajse e pamundur të neutralizohet nga sistemet mbrojtjes ajrore

Sipas mediave ndërkombëtare dhe ekspertëve ushtarakë, në sulmin ndaj Kievit dyshohet se Rusia ka përdorur raketën balistike hipersonike “Oreshnik”, një armë e avancuar që Moska e ka përdorur vetëm pak herë që nga prezantimi i saj.

“Oreshnik”, që në rusisht do të thotë “Pema e Lajthisë”, konsiderohet një raketë balistike me rreze të mesme veprimi dhe shpejtësi hipersonike. Ajo u përdor për herë të parë kundër Ukrainës në nëntor të vitit 2024.

Ekspertët ushtarakë theksojnë se veçantia e kësaj rakete qëndron në aftësinë për të mbajtur disa koka luftarake njëkohësisht, të cilat mund të godasin objektiva të ndryshëm në të njëjtën kohë. Kjo teknologji përdoret zakonisht tek raketat balistike ndërkontinentale.

“Oreshnik” besohet se është zhvilluar mbi bazën e raketës ruse RS-26 “Rubezh”. Ashtu si shumë sisteme të tjera të armatimit rus, ajo mund të pajiset si me koka bërthamore, ashtu edhe me mbushje konvencionale. Megjithatë, deri tani nuk ka indicie se në sulmin e fundit është përdorur komponent bërthamor.

Sipas autoriteteve ukrainase, një raketë e këtij lloji, e përdorur nga Rusia në një sulm të mëparshëm, arriti shpejtësi deri në 13 mijë kilometra në orë.

Presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar më herët se “Oreshnik” është pothuajse e pamundur të neutralizohet nga sistemet aktuale të mbrojtjes ajrore dhe se fuqia e saj shkatërruese është e krahasueshme me atë të armëve bërthamore, edhe kur përdor mbushje konvencionale.

Megjithatë, ekspertë perëndimorë të sigurisë kanë vënë në dyshim këto pretendime, duke argumentuar se raketa ende konsiderohet eksperimentale dhe se Rusia mund të ketë në dispozicion një numër të kufizuar të tyre.

Sipas raportimeve, Moska e ka futur “Oreshnik” në prodhim serik gjatë vitit 2024 dhe thuhet se i ka furnizuar me këtë sistem edhe aleatët e saj në Bjellorusi.

Ekspertët e sigurisë vlerësojnë se përdorimi i kësaj rakete ka më shumë efekt strategjik dhe psikologjik sesa praktik në fushën e betejës. Qëllimi kryesor, sipas tyre, është dërgimi i një sinjali paralajmërues ndaj Ukrainës dhe aleatëve perëndimorë të NATO-s, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE