
Operacioni i fundit i SPAK kundër një prej rrjeteve më të mëdha të trafikut ndërkombëtar të kokainës ka rikthyer në vëmendje emrin e Eldi Dizdarit, i konsideruar nga autoritetet si një nga figurat kryesore të krimit të organizuar shqiptar me shtrirje në Europë dhe Amerikën Latine.
Pas aksionit që goditi organizatën e drejtuar nga Dritan Gjika dhe Eldi Dizdari, e cila dyshohet se ka transportuar të paktën 50 tonë kokainë drejt vendeve të Bashkimit Europian, media belge GVA ka risjellë në fokus detaje mbi aktivitetin dhe pasurinë e njerëzve të afërt me të.
Sipas artikullit, Dizdari, i njohur në Belgjikë edhe me pseudonimin “Alduth”, u ndalua njëherë nga policia belge teksa lëvizte me shpejtësi të lartë me një automjet luksoz në autostradën Antwerp-Eindhoven. Oficerët nuk e dinin se kishin ndaluar një nga personat më të kërkuar nga autoritetet shqiptare, italiane, holandeze dhe belge.
Media belge ndalet veçanërisht te pasuria e bashkëshortes së tij, ish-missit Suada Sherifi, me të cilën Dizdari ka edhe një fëmijë. Sipas të dhënave të publikuara, Sherifi zotëron në emrin e saj nëntë prona në Dubai, me një vlerë totale blerjeje që arrin në rreth 17.8 milionë euro.
Artikulli thekson se Dizdari, i identifikuar në disa raste edhe me emrin Denis Matoshi, rezulton i regjistruar në kompleksin luksoz Bluewaters Island Residences 2 në Dubai, ku sipas autoriteteve dhe mediave ndërkombëtare janë vendosur edhe figura të tjera të njohura të krimit të organizuar shqiptar.
GVA shkruan se ai përmendet gjithashtu në dosjen e bujshme të klanit asirian “Y.” në Antwerp, ku akuzohet për korrupsion dhe përdorim dokumentesh të falsifikuara. Sipas hetimeve, atij i ishte siguruar një pasaportë dhe kartë identiteti false përmes kontakteve me një zyrtar të korruptuar në Belgjikë.
Në mjediset kriminale të Antwerp-it, Dizdari njihet si “Shqiptari i gjatë” ose “Alduth”. Emri i tij është lidhur edhe me organizatën kriminale “Bello”, e përshkruar si një federatë prej 14 bandash shqiptare të përfshira në trafikun ndërkombëtar të drogës.
Sipas mediave belge, ai dyshohet se ka organizuar dërgimin e mijëra kilogramëve kokainë drejt porteve të Antwerp-it dhe Rotterdamit, duke bashkëpunuar me figura të njohura të botës së krimit në Belgjikë. Hetimet tregojnë se rrjeti i tij ka shfrytëzuar kontakte strategjike brenda porteve për të nxjerrë ngarkesat e kokainës nga terminalet e kontejnerëve.
Goditja e fundit e SPAK konsiderohet një nga operacionet më të rëndësishme kundër trafikut ndërkombëtar të kokainës, ndërsa në fokus të hetimeve mbeten jo vetëm aktivitetet kriminale, por edhe pasuritë e konsiderueshme të krijuara ndër vite nga personat e lidhur me këtë rrjet.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE
