LAJME / E Premte 25 Shtator 2026, 21:09

Endrit Thaçi ndan fjalimin e Ramës në New York: "U tradhtua nga..."

Endrit Thaçi, djali i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka shpërndarë në rrjetet sociale një pjesë nga fjalimi i kryeministrit Edi Rama gjatë qëndrimit të tij në Shtetet e Bashkuara, ku kreu i qeverisë shqiptare foli për dënimin e katër ish-drejtuesve të UÇK-së nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

Në fjalën e tij, Rama u ndal veçanërisht te Hashim Thaçi dhe marrëdhënia që ish-presidenti i Kosovës kishte pasur ndër vite me Joe Biden, duke e cilësuar atë që ndodhi më pas si një tradhti ndaj tij.

Deklarata vjen vetëm pak ditë pas vendimit të shkallës së parë të Speciales, që dënoi Thaçin dhe Jakup Krasniqin me nga 25 vite burg, Kadri Veselin me 18 vite dhe Rexhep Selimin me 13 vite. Vendimet pritet të apelohen nga ekipet mbrojtëse.

Rama ka ngritur gjithashtu pikëpyetje mbi qëndrimin e Shteteve të Bashkuara ndaj procesit, duke argumentuar se Uashingtoni duhet të kishte bërë më shumë për katër ish-krerët e UÇK-së.

Referenca e tij ndaj raportit mes Biden dhe Thaçit lidhet edhe me marrëdhënien e dokumentuar ndër vite mes tyre. Në vitin 2016, gjatë një vizite në Kosovë, Biden e vlerësonte publikisht Thaçin dhe ritheksonte mbështetjen amerikane për Kosovën. Një vit më vonë, Shtëpia e Bardhë njoftonte sërish për një takim mes tyre dhe mbështetjen e Biden për integrimin ndërkombëtar të Kosovës.

Pikërisht këtë pjesë të fjalimit të Ramës ka zgjedhur ta ndajë edhe Endrit Thaçi në profilin e tij, duke e rikthyer në vëmendje deklaratën e kryeministrit shqiptar për mënyrën se si u trajtua i ati pas viteve të bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara.

Hashim Thaçi ndodhet në Hagë që prej vitit 2020. Vendimi prej 25 vitesh burg ndaj tij është vendim i shkallës së parë dhe jo përfundimtar.