LAJME / E Martë 20 Janar 2026, 00:12

E FUNDIT/ Makinat përplasen ‘kokë më kokë’, vdes 25-vjeçari, dy të plagosur

Një aksident i rëndë rrugor i ndodhur mbrëmjen e sotme në afërsi të qytetit të Laçit ka marrë jetën e një të riu 25-vjeçar dhe ka lënë të plagosur dy persona të tjerë.

Sipas Policisë së Kurbinit, aksidenti ka ndodhur rreth orës 22:00, kur dy automjete janë përplasur “kokë më kokë” në një nga akset rrugore të qytetit.

“Rreth orës 22:00, në qytetin e Laçit, janë përplasur automjeti me drejtues shtetasin A. Z., me automjetin me drejtues shtetasin G. Xh”, njofton policia.

Si pasojë e përplasjes së fortë, ka humbur jetën në vend një i ri rreth 25 vjeç.

Viktima është identifikuar si shtetasi E. T., i cili udhëtonte si pasagjer në automjetin që drejtohej nga shtetasi G. Xh.

“Si pasojë e aksidentit, ka ndërruar jetë shtetasi E. T., rreth 25 vjeç, i cili ishte pasagjer në automjetin e shtetasit G. Xh.”, thuhet në njoftimin e policisë.

Nga aksidenti kanë mbetur të plagosur edhe dy persona të tjerë, konkretisht drejtuesi i automjetit ku ndodhej viktima, si dhe një pasagjer tjetër.

Sipas policisë, janë transportuar për ndihmë mjekësore drejtuesi i automjetit, shtetasi G. Xh., 23 vjeç, si dhe pasagjeri tjetër, shtetasi L. F., 23 vjeç. Të dy të rinjtë janë dërguar me urgjencë në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku po marrin trajtimin e nevojshëm mjekësor dhe, fatmirësisht, ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë, drejtuesi i automjetit tjetër të përfshirë në aksident, shtetasi A. Z., është shoqëruar nga policia për veprime të mëtejshme procedurale.

“Shtetasi A. Z. është shoqëruar në Komisariat për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale”, bën me dije policia.

Menjëherë pas ngjarjes, në vendin e aksidentit kanë mbërritur shërbimet e policisë dhe urgjenca, të cilat u kanë dhuruar ndihmën e parë të plagosurve dhe kanë kryer veprimet e nevojshme hetimore. Zona është bllokuar përkohësisht për të lehtësuar punën e grupit hetimor dhe për të garantuar sigurinë e qarkullimit.

Policia bën me dije se hetimet vijojnë për të përcaktuar shkaqet e sakta të aksidentit.

“Grupi hetimor vijon punën për përcaktimin e shkaqeve dhe rrethanave të aksidentit”, theksohet në njoftim.

Dyshohet se faktorë si shpejtësia, kushtet e rrugës apo një manovër e gabuar mund të kenë ndikuar në përplasjen fatale, por këto mbeten për t’u sqaruar nga hetimet, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE