
Autoritetet serbe kanë njoftuar për arrestimin e një personi me origjinë nga Istogu, i cili dyshohet për veprën penale të spiunazhit, në një rast që, sipas tyre, lidhet me mbledhjen dhe transmetimin e informacioneve me interes për institucionet e sigurisë.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, i arrestuari është R.T., 46 vjeç, ndërsa arrestimi është kryer më 30 korrik në territorin e Kraljevës.
Në njoftimin zyrtar thuhet se operacioni është realizuar nga pjesëtarë të Shërbimit për Luftimin e Terrorizmit dhe Ekstremizmit, në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë Kriminale, Prokurorinë e Lartë Publike në Kraljevë dhe Agjencinë e Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë.
Sipas autoriteteve serbe, i dyshuari dyshohet se ka bashkëpunuar me një shërbim informativ që vepron në Kosovë dhe se ka mbledhur e transmetuar informacione që lidhen me aktivitetet e ish-pjesëtarëve dhe pjesëtarëve aktualë të ushtrisë serbe, Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe institucioneve të tjera të sigurisë.
Këto pretendime janë bërë publike nga autoritetet serbe dhe deri më tani nuk janë verifikuar nga burime të pavarura.
Arrestimi vjen në një kohë kur në zonën e Kalludrës së Vogël, në komunën e Zubin-Potokut, po zhvillohen gërmime në një lokacion që po hetohet për dyshime mbi ekzistencën e një varreze masive.
Sipas institucioneve që merren me procesin e personave të zhdukur, në këtë lokacion dyshohet se mund të ndodhen mbetjet mortore të 23 intelektualëve shqiptarë nga Mitrovica, të zhdukur gjatë muajit prill të vitit 1999.
Megjithatë, autoritetet serbe nuk kanë bërë publike ndonjë lidhje konkrete mes arrestimit të 46-vjeçarit dhe procesit të gërmimeve, përtej faktit se zhvillimet kanë ndodhur në të njëjtën periudhë kohore.
Sipas njoftimit, ndaj R.T. është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Pas përfundimit të kësaj periudhe, ai pritet të dalë para Prokurorisë së Lartë Publike në Kraljevë, e cila do të vendosë për procedurat e mëtejshme ligjore.
Shënim: Personi i përmendur në këtë artikull është i dyshuar dhe prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata kompetente. Pretendimet mbi rastin bazohen në njoftimin zyrtar të autoriteteve serbe, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE
