LAJME / E Premte 25 Shtator 2026, 19:07

Kush është i "forti" që e qëlloi? Reagon Shefi i Policisë dhe zbulon të vërtetën e tij: Më rrezikoi jetën, ja çfarë kishte bërë

Një video që po qarkullon në rrjetet sociale ka rikthyer vëmendjen te një incident rrugor ku është përfshirë shefi i Komisariatit të Krujës, Elton Shahini.

Në një komunikim me redaksinë e JOQ Albania, Shahini ka paraqitur versionin e tij për atë që ka ndodhur, duke kërkuar gjithashtu ndjesë për fjalorin e përdorur gjatë incidentit.

“Ngjarja ka ndodhur jashtë orarit tim zyrtar të punës në muajin korrik. Qytetari i përfshirë në incident ishte nën efektin e lëndëve narkotike dhe po kryente manovra të rrezikshme, duke më rrezikuar drejtpërdrejt jetën. Situata u përshkallëzua edhe nga ofendimet e njëpasnjëshme dhe në atë moment tensioni kam përdorur një fjalor të papërshtatshëm, për të cilin u kërkoj ndjesë qytetarëve.

Pavarësisht dhunës fizike dhe fyerjeve ndaj meje, në asnjë moment nuk kam përdorur autoritetin tim zyrtar, nuk kam kërcënuar me postin që mbaj dhe nuk jam përgjigjur me dhunë fizike.”

Pretendimet lidhur me përdorimin e lëndëve narkotike, dhunën dhe dinamikën e plotë të incidentit mbeten pjesë e versionit të paraqitur nga Shahini, për aq kohë sa nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur ose nga autoritetet kompetente.

JOQ Albania publikon pamjet dhe versionin e Shahinit pa marrë qëndrim mbi përgjegjësinë e palëve. Përgjegjësitë ligjore u takon t’i përcaktojnë institucionet kompetente, ndërsa gjykimin mbi pamjet dhe deklarimet ia lëmë publikut.