LAJME / E Premte 25 Shtator 2026, 19:07

"Më shau, e shava" - Shefi i Komisariatit të Krujës reagon pas videos ku goditet me shpullë: Po ikja në plazh, nuk reagova pavarësisht dhunës e fyerjeve

Shefi i Komisariatit të Policisë së Krujës, Elton Shahini, ka reaguar për Top Channel lidhur me incidentin ku u përfshi në ditët e fundit të korrikut 2026, pamjet e të cilit u bënë virale gjatë ditës së sotme. Shahini ka dhënë versionin e tij për rrethanat dhe dinamikën e ngjarjes.

Shahini thotë se në momentin e ngjarjes ishte jashtë orarit të punës, ka qenë fundjavë dhe po udhëtonte me motor drejt plazhit, kur drejtuesi i një automjeti, i cili shfaqet edhe në video, sipas tij, kreu manovra të rrezikshme dhe e goditi me pasqyrën e makinës.

“Ka qenë fundjavë, ditë pushimi zyrtare. Kam qenë duke shkuar në plazh, isha duke ecur me motor, isha në punën time.

Në ato momente, shoferi që duket në video ka qenë duke ecur në mënyrë të papërgjegjshme në rrugë dhe bënte manovra të rrezikshme. Kur më ka kaluar pranë, më ka goditur me pasqyrë”, tha Shahini për Top Channel.

Sipas shefit të Komisariatit të Krujës, mes tij dhe drejtuesit të automjetit ka pasur më pas një përplasje verbale.

“Më shau, e shava”, shprehet Shahini.

Ai mohon se ka kërcënuar apo ka ushtruar dhunë fizike ndaj personit tjetër të përfshirë në incident.

“Nuk e kam kërcënuar dhe as kam ushtruar dhunë fizike”, deklaroi ai.

Shahini thekson gjithashtu se, megjithëse ishte civil dhe jashtë orarit zyrtar të punës, nuk e përdori autoritetin e tij si drejtues i komisariatit të policisë së Krujës gjatë konfliktit.

“Pavarësisht dhunës fizike dhe fyerjeve ndaj meje, në asnjë moment nuk kam përdorur autoritetin tim zyrtar, nuk kam kërcënuar me postin që mbaj dhe nuk jam përgjigjur me dhunë fizike”, tha shefi i Komisariatit të Krujës.