
Detaje të reja kanë dalë në dritë në lidhje me incidentin tragjik në Gjirokastër, ku një adoleshent humbi jetën në një pishinë private.
Sipas informacioneve të publikuara nga Jugulajm.net , 16-vjeçari Arbër Peçi kishte shkuar në pishinën “GLOW” më herët gjatë ditës i shoqëruar nga dy miq. Burime të cituara nga media, pranë ekipit hetimor, pohojnë se adoleshenti hyri në ujë, por brenda pak sekondash filloi të sinjalizonte për ndihmë me anë të gjesteve.
Sipas të njëjtave burime, asnjë nga personat e pranishëm nuk hyri menjëherë në ujë për ta ndihmuar. Alarmi u dha më vonë nga dy miqtë e tij, ndërsa policia dhe shërbimet e emergjencës mbërritën në vendngjarje, por nuk arritën ta shpëtonin adoleshentin.
Deri më tani, versioni paraprak i cituar nga këto burime sugjeron se i mituri mund të ketë pësuar një problem të papritur mjekësor pasi ka hyrë në ujë. Megjithatë, shkaku i saktë i vdekjes mbetet i paqartë dhe pritet të përcaktohet përmes hetimeve dhe ekzaminimeve mjeko-ligjore në vazhdim.
Ndërkohë, janë ngritur pyetje edhe në lidhje me kushtet e sigurisë dhe funksionimin e pishinës ku ndodhi incidenti. Sipas raportimeve, autoritetet po verifikojnë nëse objekti i është përmbajtur të gjitha detyrimeve ligjore që lidhen me sigurinë e vizitorëve dhe menaxhimin e reagimit ndaj emergjencave.
Gjithashtu raportohet se Prokuroria po kryen veprime hetimore për të sqaruar të gjitha rrethanat që lidhen me incidentin. Përveç kësaj, pritet të shqyrtohen pamjet e kamerave të sigurisë që mund të ndihmojnë në përcaktimin e plotë të asaj që ka ndodhur.
Hetimi është duke vazhduar dhe deri në publikimin e rezultateve zyrtare, çdo pretendim në lidhje me shkakun e vdekjes ose përgjegjësitë e mundshme mbetet subjekt i verifikimit nga autoritetet kompetente, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE
