LAJME / E Mërkurë 16 Shtator 2026, 08:08

Belgjikë/ Oficeri g*det me shupl*kë një grua të prangosur, nis hetimi për incidentin

Një video e një oficeri policie në Nivelles, pak jashtë Brukselit, duke goditur në fytyrë një grua të prangosur dhe duke e shtyrë me forcë në një furgon policie, u bë virale gjatë fundjavës. Pas kësaj, kryebashkiaku i qytetit njoftoi se ka nisur një hetim i brendshëm.

Videoja, e cila është shpërndarë në shumë platforma të mediave sociale dhe ka mbi 400,000 shikime vetëm në Facebook, tregon tre oficerë që përpiqen ta fusin gruan brenda një automjeti policie në zonën policore Nivelles-Genappe.

Gruaja, e cila i ka duart e prangosura pas shpine, refuzon të hyjë në automjet pavarësisht se i është urdhëruar ta bëjë këtë. Kur ajo kthehet nga njëri prej oficerëve, ai e qëllon me shuplakë në fytyrë përpara se ta shtyjë me forcë në furgon.

Kryebashkiaku i Nivelles, Bernard De Ro, i cili drejton edhe distriktin lokal të policisë, njoftoi se është hapur një hetim i brendshëm për incidentin. Mediat shkruajnë se hetimi do të përcaktojë rrethanat e incidentit, duke përfshirë atë që ndodhi para se të regjistrohej pamjet dhe pse oficeri përdori forcë kundër një personi që nuk dukej se përbënte kërcënim në atë kohë.


Aktualisht nuk dihet pse gruaja u ndalua dhe nëse ka pasur ndonjë rrethanë tjetër që i parapriu përballjes.

Identitetet e gruas dhe tre oficerëve të përfshirë në incident janë aktualisht të panjohura, pasi fytyrat e tyre janë të paqarta në pamjet filmike që janë bërë të disponueshme publikisht.