
Një 25-vjeçar shqiptar në Itali është bërë objekt i një atentati, pasi dyshohet se vendosi t’i jepte fund përfshirjes së tij në trafikun e drogës dhe të niste punë në sektorin e ndërtimit.
Sipas raportimeve të mediave italiane, të përcjella nga Top Channel, autoritetet italiane kanë arrestuar dy shtetas shqiptarë, Luigj Makajn, 44 vjeç, dhe Armiol Gjokën, 40 vjeç, të dyshuar për përfshirjen në sulm.
Sipas Prokurorisë, Makaj dyshohet se ka organizuar atentatin, ndërsa Gjoka, i njohur me nofkën “Molli”, dyshohet se është personi që ka hapur zjarr ndaj 25-vjeçarit.
Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 1 korrikut në Mirano, pranë Venecias. Sipas hetimeve, i riu kishte refuzuar të vazhdonte aktivitetin e shpërndarjes së lëndëve narkotike, pasi kishte gjetur punë në sektorin e ndërtimit. Vendimi për t’u larguar nga grupi kriminal dyshohet se është pasuar fillimisht me kërcënime dhe më vonë me sulme të armatosura.
Hetuesit dyshojnë se ndaj 25-vjeçarit dhe partneres së tij kishte pasur edhe më herët tentativa për t’i sulmuar. Në fund të shkurtit dhe fillim të marsit, persona të armatosur dyshohet se kishin qëlluar ndaj tyre, duke i detyruar të strehoheshin në një rulotë në pronën e babait të vajzës.
Sipas dosjes hetimore, mbrëmjen e atentatit 25-vjeçari është përballur me dy të dyshuarit, të cilët i kanë kërkuar të ndalonte. Ai ka tentuar të largohet me vrap, por është ndjekur dhe qëlluar nga një distancë e afërt. Plumbi e ka goditur në zonën mes qafës dhe shpatullës.
Hetuesit pretendojnë se edhe pasi i riu kishte rënë i plagosur në tokë, njëri prej agresorëve i kishte drejtuar armën në kokë. Të dyshuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes vetëm pas mbërritjes së ekipeve të emergjencës.
Pas rreth një muaji hetime, të mbështetura në përgjime, vëzhgime dhe analizën e komunikimeve telefonike e të rrjeteve sociale, karabinierët kanë arritur të lokalizojnë dhe arrestojnë dy të dyshuarit.
Makaj dhe Gjoka përballen me akuzën për tentativë vrasjeje dhe janë transferuar në dy institucione të ndryshme penitenciare. Ndërkohë, hetimet po vazhdojnë për të sqaruar plotësisht motivin dhe rrethanat e atentatit.
**Të dyshuarit prezumohen të pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë të gjykatës, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE
