LAJME / E Premte 15 Maj 2026, 19:07

“Berisha nuk ka qenë kurrë mjek i Enver Hoxhës!”- Tritan Shehu rrëfen dhe disfatën e Piramidave: Skemat piramidale, absolutisht gabimi më i madh i PD në pushtet!

Deputeti Tritan Shehu rrëfeu në emisionin “Kjo javë” të “News 24” hyrjen e tij në politikë 35 vite më parë, themelimin e PD-së, zgjedhjen deputet, ministër, njohjen e tij me Sali Berishën, sfidat e qeverisjes, sukseset dhe dështimet më të mëdha.

Si një nga themeluesit e PD-së, ai tha se të gjitha ato që thuhen për Berishën se ishte mjek i diktatorit Enver Hoxha ishin të rreme dhe thashetheme dashakeqëse për ta dëmtuar.

Kurse skemat piramidale pranoi se ishte një nga gabimet më të mëdha të PD në qeverisje, por në atë kohë askush nuk e dinte se çfarë përfaqësonin dhe shkaktonin ato, që të parandaloheshin në kohë.

“Berisha kishte vizion të jashtëzakonshëm, edhe në fushën ekonomike. Lexonte dhe konsultohej me partnerët ndërkombëtar. Berisha nuk ka qenë kurrë mjek i Enver Hoxhës, ishte tjetër grup ai. Një grup i shkëlqyer. Mjeku është mjek, por Berisha nuk ka qenë kurrë mjek i tij. Kam pasur dhe momente kur me Berishën kemi pasur mendime të ndryshme. Unë e konsideroj liderin absolut të PD, themeluesin e saj, njeri me kulturë të jashtëzakonshme, njeri i ditur. Njeri që merr vendime, që pranon debatin, diskutimin. Do të përmend 4 figura në PD me rëndësi; Berisha, Aleksandër Meksi, Pjetër Arbnori, Ali Spahia dhe unë si kryetar i partisë, sekretar e ministri i Jashtëm. Berisha nuk mbyllte asnjëherë debatin, ka qenë gjë e tija që spikaste. Ka dhe shumë kolegë të tjerë, ministra të shkëlqyer”, tha ai.

“Piramidat ishin një nga disfatat. Ka qenë absolutisht gabimi më i madh i PD-së dhe qeverisë tonë, por askush nuk i konceptonte dot, as ministrat në atë kohë. Ishin keqkuptimi i ekonomisë së tregut. Edhe me elemente jo formale. Nuk arritëm që ta konceptonim. Edhe ministrat tanë të asaj kohe se kuptonin. Edhe institucionet ndërkombëtare nuk e perceptuan dot. Ishte gabimi më i madh, kështu ishte. Edhe Berisha dhe Meksi e pranuan. Ishte një gjë që erdhi se ne nuk ishim përgatitur. Unë nuk jam marrë me ekonominë, por me patinë dhe shëndetësinë. S’kam thënë që kam njohur për ekonominë. Ajo erdhi nga mosperceptimi i një zhvillimi të rrezikshëm për Shqipërinë, u perceptua si zhvillim për ekonominë e tregut. Po bëheshim gati që ta dominonim”, u shprhe ai.

“Ne nuk i kuptuam ato, gabuam rëndë dhe më pas humbëm zgjedhjet. pranuam rezultatin e vitit 1997, edhe pse ishin në forcën e armëve, por ne dolëm në opozitë, e pranuam, gabuam me piramidat dhe unë dhashë dorëheqjen pas humbjes së zgjedhjeve më 1997”.

Sipas Shehut, pati edhe nxitje të qëllimshme për trazira në atë kohë dhe ndërhyrje nga jashtë që donin të dëmtonin qeverinë e PD-së.

“Por plasën në mënyrë artificiale ato që plasën, të nxitura, që krijuan dëme të mëdha për Shqipërinë në ato vite. Për mua vendimi i parë që u mor, i drejtë, ishte dhënia në privatësi me çmime simbolike, shqiptarëve, shtëpitë e tyre. Shqiptarët as pula nuk kishin, ishin zhveshur nga prona private. Ai që nuk ka diçka të tijën kthehet në bujkrob. U hap një treg lëvizës për Shqipërinë. Ky ishte vendim i drejtë”, vijoi ai.

“Në sistemin shëndetësor kam bërë kryer të privatizimit të plotë të farmaceutikës dhe të stomatologjisë. Nuk arrita dot të bëja privatizimin e plot të sistemit parësor. Shqipëria e 91-it ishte e varfër. Kampet e përqendrimit kishin ngelur si hije tmerri, por kishte entuziazëm, një popull që aspironte dhe e kishte të qartë vizionin e tij. Do doja të kisha bërë edhe disa reforma të tjera, por kalova në drejtimin politik të PD-së më pas”, tha ai.

“Pa dyshim parlamenti i vitit 1992 ishte absolutisht më i miri, kishte figura intelektuale. Parlamenti i 92 ka pasur nga të dyja palët elemente intelektuale. Sot ka pësuar një transformim të jashtëzakonshëm. Unë kam qenë ministër dhe ne uleshim dhe diskutonim me parlamentaret e PS-së, diskutonim me ta. Ndërsa sot ky regjim nuk pranon dialog, asnjë mendim nga opozita. Ku është degradim dhe shkatërrim i demokracisë”, tha Shehu, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE