LAJME / E Martë 20 Janar 2026, 13:01

Balla në Komision: Marrëveshja me Italinë hap një kapitull të ri për diasporën shqiptare

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi se marrëveshja mes Shqipërisë dhe Italisë përfaqëson një hap të rëndësishëm në forcimin e partneritetit strategjik mes dy vendeve, duke theksuar rolin kyç të diasporës shqiptare në Itali në procesin e reformave drejt Bashkimit Europian.

Duke folur në Komisionin për Europën dhe Punët e Jashtme, Balla vlerësoi marrëveshjen si një instrument që jo vetëm thellon bashkëpunimin dypalësh, por edhe rrit mbështetjen për komunitetin shqiptar në Itali dhe lidhjet kulturore mes dy vendeve.

Ai nënvizoi se diaspora shqiptare në Itali shënoi pjesëmarrjen më të lartë në zgjedhjet e 11 majit, duke e cilësuar këtë angazhim si një mandat të qartë për vijimin e reformave integruese. “Dua të falënderoj diasporën shqiptare në Itali, e cila ishte komuniteti me pjesëmarrjen më të madhe në zgjedhjet e 11 majit, duke i dhënë mbështetje qeverisë për të vijuar rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian,” u shpreh Balla.

Në fjalën e tij, ai vuri në dukje edhe rolin e komunitetit italian në Shqipëri, si dhe të komunitetit arbëresh, të cilin e cilësoi si një shembull frymëzues të ruajtjes së gjuhës dhe kulturës shqiptare ndër shekuj. Balla përshëndeti gjithashtu vendimin e qeverisë italiane për të mundësuar transmetime në gjuhën shqipe arbëreshe në kanalet publike të RAI-t.

Një tjetër element i rëndësishëm i marrëveshjes, sipas Ballës, është sanksionimi i transmetimeve të ndërsjella të kanaleve publike, që synon forcimin e mirëkuptimit kulturor dhe ruajtjen e identitetit gjuhësor të diasporës.

Balla u ndal edhe tek marrëveshja për njohjen e ndërsjellë të kontributeve të sigurimeve shoqërore, e cila tashmë ka hyrë në fuqi. Ai theksoi se rreth 500 mijë shqiptarë që jetojnë në Itali janë përfitues të drejtpërdrejtë të kësaj marrëveshjeje, e miratuar me procedurë të përshpejtuar nga të dyja dhomat e Parlamentit italian.

Në përfundim, Balla theksoi rolin e Kuvendit në monitorimin e zbatimit të marrëveshjes dhe nxitjen e qeverisë për të zgjeruar marrëveshje të ngjashme edhe me vende të tjera, ku jetojnë komunitete të mëdha shqiptare, duke përmendur veçanërisht Greqinë, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE