LAJME / E Diel 31 Maj 2026, 12:12

Alarm në universitete: Vajzat po dominojnë në universitete. Ku janë djemtë?

Alarm në universitete: Vajzat po dominojnë arsimin e lartë, mbi 59% e studentëve janë femra

Një trend që po forcohet vit pas viti në Maqedoninë e Veriut po ndryshon ndjeshëm strukturën e arsimit të lartë. Të dhënat zyrtare tregojnë se vajzat jo vetëm që janë më të shumta në universitete, por përbëjnë edhe shumicën dërrmuese të studentëve të diplomuar.

Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, në vitin akademik 2024/2025 në universitetet e vendit janë regjistruar 53.535 studentë, prej të cilëve 31.734 ose 59,3 për qind janë femra. Kjo do të thotë se për çdo 10 studentë, afro 6 janë vajza.

Edhe te të diplomuarit diferenca është e dukshme. Gjatë vitit 2024, nga 7.021 studentë që përfunduan studimet universitare, 59,4 për qind ishin femra.

Ekspertët e arsimit vlerësojnë se ka disa arsye që shpjegojnë këtë fenomen. Një pjesë e djemve orientohen më herët drejt tregut të punës, profesioneve teknike, bizneseve familjare ose emigrimit, ndërsa vajzat vazhdojnë më shpesh arsimin e lartë dhe kanë norma më të larta të përfundimit të studimeve. Gjithashtu, në shumë fusha si mjekësia, arsimi, shkencat sociale dhe juridiku, pjesëmarrja e femrave është dukshëm më e lartë.

Tendenca nuk është e re. Edhe statistikat e mëparshme kanë treguar se femrat përbëjnë shumicën e studentëve në arsimin e lartë, ndërsa raporti femra-meshkuj në universitetet e Maqedonisë së Veriut është ndër më të lartët në rajon.

Ndërkohë, numri i përgjithshëm i studentëve në vend vazhdon të mbetet më i ulët krahasuar me një dekadë më parë, fenomen që lidhet me rënien e natalitetit dhe emigrimin e të rinjve.

Shifrat zyrtare tregojnë qartë se auditorët universitarë po bëhen gjithnjë e më shumë hapësirë e dominuar nga vajzat, duke ngritur pyetje të reja për rolin e djemve në arsimin e lartë dhe sfidat e sistemit arsimor në vitet që vijnë, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE