LAJME / E Martë 3 Mars 2026, 17:05

Vrau me thikë 31-vjeçarin në Tiranë, zbardhet dëshmia e autorit: Kishte bllokuar rrugën! I rashë borisë, por

Gazment Buçpapaj, i arrestuar mbrëmjen e së hënës në Tropojë si autor i dyshuar i vrasjes së Egli Pashollarit më 20 shkurt në zonën e ish-Parkut, është marrë në pyetje nga Policia lidhur me krimin e ndodhur.

Gjatë dëshmisë së tij, 40-vjeçari ka pretenduar se veprimin e ka kryer në kushtet e vetëmbrojtjes. Sipas tij, ngjarja ka nisur pasi kishte marrë bashkëshorten nga puna dhe po drejtohej për në spital, kur ka gjetur rrugën e bllokuar.

“Gjeta rrugën të bllokuar, i rashë borisë, por viktima më shau nga makina”, mësohet të ketë deklaruar Buçpapaj para hetuesve.

Ai ka rrëfyer se pasi kanë ecur rreth 100 metra, Egli Pashollari ka zbritur nga automjeti dhe e ka ofenduar sërish, çka ka çuar në përplasje fizike.

“Aty u zumë me grushte dhe në kushtet e vetëmbrojtjes e godita me thikë”, ka deklaruar ai.

Edhe bashkëshortja e tij, Laureta Buçpapaj, në dëshminë e dhënë para policisë ka konfirmuar se konflikti nisi për bllokimin e rrugës. Sipas saj, bashkëshorti i ra borisë për t’i kërkuar shoferit të hapte rrugën, por ky i fundit reagoi me ofendime.

“Nuk e pashë momentin që ai e goditi personin tjetër me ndonjë send, por dyshoj se mund të ketë përdorur një thikë me palosje që e mbante në makinë”, ka deklaruar ajo.

Sipas hetimeve paraprake, Egli Pashollari, 31 vjeç, është goditur disa herë me thikë rreth orës 15:00, ndërsa një prej plagëve, në pjesën poshtë shpatullës, rezultoi fatale për shkak të humbjes së madhe të gjakut. Ai u transportua me urgjencë në spital nga dëshmitarë të pranishëm në vendngjarje, por mbërriti pa shenja jete.

Pas ngjarjes, autori u largua nga vendi i krimit dhe u strehua te të afërm të tij në Tropojë, ku edhe u arrestua nga policia.

Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes vijojnë,, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE