LAJME / E Shtunë 5 Shtator 2026, 03:03

URGJENTEE! Pamje "apokaliptike" nga zjarri në Himarë, flakët arrijnë nivelin e hoteleve shumëkatëshe (VIDEO)

Një zjarr i madh ka shpërthyer mbrëmjen e kësaj të premteje në bypasin e qytetit të Himarës, ku flakët po përhapen me shpejtësi. Mësohet se flakët të favorizuara nga era e fortë, ku raportohet se deri më tani janë djegur disa shtëpi.

Në pamjet e publikuara shihen sesi flakët kanë arritur lartësinë mbi ndërtesat shumëkatëshe të njësive hoteliere në zonë.

Raportohet se për shkak të situatës së krijuar, Policia ka bllokuar qarkullimin në bypass-in e Himarës, në mënyrë që të kalojnë mjetet e emergjencës që të angazhuara në operacionet për shuarjen e zjarrit.

Pas lajmërimit për evakuim, qytetarët e Himarës, po përpiqen të largohen sa më shpejt nga zonat ku flakët janë afruar pranë banesave dhe bizneseve. Ndërsa bllokimi i bypassit të Himarës, ka bërë që banorët të gjejnë rrugë të tjera alternative.

Situata në Himarë vijon të mbetet kritike. Zjarri i madh që ka përfshirë zonën po avancon pa ndalur, ndërsa operacioni për shuarjen e tij po zhvillohet në kushte ekstreme.

Për shkak të rrezikut që flakët t’u afrohen banesave, në terren kanë mbërritur drejtuesit më të lartë të strukturave të sigurisë në vend.

Mësohet se në Himarë ndodhen Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako, dhe Prefektja e Qarkut Vlorë, Evis Alushi, të cilët po koordinojnë nga afër ndërhyrjen.

Ndërkohë, në orët në vijim pritet të mbërrijnë në zonën e zjarrit edhe Ministri i Brendshëm dhe Ministri i Mbrojtjes, në një kohë kur rreziku për zonat e banuara është ende prezent.

Forcat zjarrfikëse, efektivë të emergjencave dhe struktura mbështetëse janë në luftë me kohën për të izoluar vatrat dhe për të ndaluar përhapjen e mëtejshme të zjarrit, por moti i keq po e rëndon ndjeshëm situatën.