
Gjykata e Vlorës ka vendosur masën e sigurimit “Arrest në burg” për Endrit Sadedinin, i arrestuar tre ditë më parë nga policia e Vlorës në një aksion të zhvilluar në lagjen Pavarësia. Seanca gjyqësore është drejtuar nga gjyqtarja Alba Ngresi, e cila ka lënë në fuqi kërkesën e prokurorisë së Vlorës.
Sadedini, 38 vjeç, është akuzuar për armëmbajtje pa leje, dhe gjatë seancës nuk ka dhënë asnjë deklaratë. Masa e sigurimit është zhvilluar këtë të shtunë në Gjykatën e Vlorës, ndërkohë që seanca ka qenë me dyer të mbyllura.
Ai u arrestua nga policia e Vlorës dhe forcat operacionale gjatë ditës së mërkurë në lagjen Pavarësia, dhe gjatë arrestimit iu gjet një armë pistolete. Drejtori i Policisë së Qarkut të Vlorës, Elidon Cela, dha informacion për aksionin në një konferencë për mediat. Gjykata ka cilësuar arrestimin të ligjshëm dhe ka lënë në fuqi kërkesën e prokurorisë. Sadedini në momentin që pa shërbimet e Policisë, tentoi të largohej dhe iu ka drejtuar armën e zjarrit shërbimeve të Policisë, por s’ka mundur të qëllojë apo të largohet, pasi, falë profesionalizmit të forcave të Policisë, është bërë e mundur neutralizimi dhe arrestimi i tij.
Sadedini është një emër i njohur për policinë, pasi u ka shpëtuar dy atentateve, njëri me tritol më 19 dhjetor 2021.
Ndërkohë edhe në 2019, i është vendosur një sasi e madhe eksplozivi në makinë, e cila nuk ka shpërthyer, pasi e ka pikasur në kohë.
