LAJME / E Mërkurë 23 Shtator 2026, 08:08

U arrestua sot, çfarë thoshte Edi Rama për marrëdhënien me Vlora Hysenin vetëm 11 ditë më parë (VIDEO)

Hyseni akuzohet nga SPAK për “nxjerrje të sekretit shtetëror” dhe “përkrahje të autorit të krimit” pasi dyshohet se me informacione sekrete të shtetit ndihmoi në arrati Ergys AgasinTIRANË- Kryeministri Edi Rama ka komentuar pak ditë më parë në podcastin Flasim me gazetaren Rudina Xhunga, marrëdhënien institucionale që ka pasur me drejtuesit e SHISH, përfshirë Vlora Hysenin, të cilën e shkarkoi sot, pas hetimeve të SPAK.

Rama shprehet gjatë bisedës se marrëdhënien me drejtuesit e SHISH, Hysenin, Helidon Bendon dhe Visho Ajazin para saj, e ka mbajtur kryesisht drejtoresha e kabinetit të tij.

“Unë nuk jam një njeri që nxitem të kontrolloj, dhe fjala vjen unë kam dëshmitar drejtorët e shërbimeve inteligjente. Kam punuar me 3 drejtorë të shërbimit sekret shqiptar, me Visho Ajazin, Helidon Bendon dhe Vlora Hysenin, unë procesin e bisedimit, e kisha deleguar pothuajse plotësisht te drejtorja e kabinetit.

Merrja vetëm informacione shumë të rezervuara dhe shumë speciale që kishin të bënin vetëm me aleatët. Për pjesën tjetër kam qenë shumë neglizhent, pasi unë besoj shumë te njerëzit”, shprehet Rama.


Vlora Hyseni u vendos sot nën masën e arrestit të shtëpisë me urdhër të SPAK, ndërsa u vetëdorëzua pasditen e sotme në Morinë.

SPAK e akuzon Hysenin për dy vepra penale, që lidhen me dosjen AKSHI, nxjerrje e sekretit hetimor dhe përkrahje e autorit të krimit.

Pas komunikimit të SPAK, kreu i qeverisë njoftoi shkarkimin e Hysenit nga posti i drejtoreshës së SHISH. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama tha se menjëherë pas kthimit bga SHBA do të emërojë dhe pasuesin apo pasuesen e Hysenit në krye të SHISH. /SHEKULLI