
Disa nga familjet e të rinjve që ndodheshin në diskotekën “Pulse” të Koçanit, ku raportohet se kanë humbur jetën mbi 50 persona dhe janë plagosur qindra të tjerë, po postojnë foto të të afërmeve të tyre dhe numrat e celularëve, në mënyrë që nëse dikush i sheh, t’i informojë se ku ndodhen dhe nëse janë shtruar në spital.
Nuk dihet saktë numri i të plagosurve, por mediat raportojnë se bëhet fjalë për të paktën 100 të lënduar, një pjese prej të cilëve po marrin mjekim në Shkup.
Këtë mëngjes, shumë njerëz shkuan në vendin e ngjarjes. Disa në kërkim të familjarëve të tyre, pasi nuk e dinë nëse janë gjallë apo të vdekur.
“Po kërkoj mbesën time. Nuk po na lejojmë të hyjmë dhe nuk e dimë ku është ajo. Telefoni i saj është duke punuar, por ajo nuk po përgjigjet. Ishim në spitalin në Koçan, në Shtip, disa njerëz i kanë dërguar në Shkup. Ndoshta është e plagosur dhe nuk mund të përgjigjet. Dikush duhet të na tregojë me urgjencë ku të kërkojmë”, ka thënë një grua për Radion Evropa e Lirë.
