LAJME / E Mërkurë 12 Mars 2025, 19:07

“TikTok” mbyllet më 13 mars, veprimet që merren për bllokimin

Aplikacioni TikTok do të mbyllet për përdoruesit në Shqipëri duke filluar nga data 13 mars 2025, pas një vendimi të marrë nga Këshilli i Ministrave.

Ky bllokim do të zgjasë për 12 muajt e ardhshëm dhe do të prekë të gjithë përdoruesit e platformës në territorin shqiptar.

Këshilli i Ministrave ka miratuar këtë masë në mbledhjen e datës 7 mars 2025, duke e bazuar atë në nevojën për të zbatuar standardet e sigurisë dhe moshës për përdoruesit e mitur.

Pas këtij vendimi, Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) ka kërkuar nga kompanitë e internetit që të ndërmarrin veprimet e nevojshme për bllokimin e aksesit në platformën TikTok, duke përfshirë bllokimin e IP-ve, DNS-ve, SNI dhe të adresave të kompanisë ByteDance.

Kërkesa e AKSK-së përmban instruksione të detajuara për kompanitë e internetit, ku specifikohet se duhet të bllokohen IP-të dhe domainet që lidhin përdoruesit shqiptarë me TikTok, duke përfshirë të gjithë infrastrukturën digjitale të platformës në Shqipëri.

Në përputhje me legjislacionin, çdo operator i shërbimeve të komunikimeve elektronike është i detyruar të respektojë këto kufizime dhe të raportojë në Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) për zbatimin e masave deri më 13 mars 2025.

Vendimi për mbylljen e TikTok është mbështetur në ligjin nr. 54/2024 “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë” dhe rregulloren për zbatimin e regjimit të autorizimit të përgjithshëm.

Ky hap është ndërmarrë për të mbrojtur sigurinë dhe interesat e përdoruesve të mitur në Shqipëri.