LAJME / E Premte 20 Shkurt 2026, 11:11

“Tentativë Vra*jeje dhe Grabije: Si e Tradhtoi Vëllai Autorin me Mesazhet në WhatsApp”

Genova, Itali – Elton Vogli, 37-vjeçari shqiptar i arrestuar të dielën në mbrëmje për plagosjen me thikë të një italiani 40-vjeçar, do të qëndrojë në burg. Ngjarja ndodhi në një apartament në via Stacchetti, në zonën Priaruggia, në lindje të qytetit.

Vogli akuzohet për tentativë vrasjeje dhe grabitje, në bashkëpunim me një 17-vjeçare me origjinë turke. Gjatë seancës për vlerësimin e arrestit, ai zgjodhi të mos i përgjigjej pyetjeve të gjyqtares Martina Tosetti. Sipas kësaj të fundit, ekziston rreziku i arratisjes dhe i përsëritjes së veprës penale.

“Ka treguar se është i pamëshirshëm”, thuhet në urdhrin e masës së sigurisë, ku theksohet edhe fakti se 37-vjeçari dyshohet të jetë mburrur për veprimin e tij përmes një video-mesazhi drejtuar vëllait.

Ishte pikërisht vëllai ai që ndihmoi karabinierët, fillimisht për të shpëtuar 40-vjeçarin – i gjetur në gjendje të rëndë në banesë – dhe më pas për të lokalizuar autorin e dyshuar. Menjëherë pas ngjarjes, Vogli i kishte dërguar mesazhe në WhatsApp: “E vrava, mos eja, jo polici”, duke i dërguar edhe një foto ku shihej një divan i përlyer me gjak.

Vëllai i dorëzoi mesazhet tek karabinierët e San Teodoro dhe u tregoi vendin dhe orën e takimit që kishte lënë me të, në një bar në zonën Lagaccio. Kjo bëri të mundur ndalimin e menjëhershëm të 37-vjeçarit. Një fqinjë e viktimës identifikoi gjithashtu çiftin që u largua nga pallati pas sulmit.

Motivi i ngjarjes mbetet ende i paqartë. Sipas hetimeve paraprake, viktima kishte njohur 17-vjeçaren në një lokal në lagjen Di Negro. Duke qenë se ajo nuk kishte banesë, 40-vjeçari ishte ofruar ta strehojë përkohësisht. Më vonë, vajza kishte kërkuar që në banesë të qëndronte edhe miku i saj shqiptar.

Sulmi ndodhi të dielën në mbrëmje dhe dyshohet se mund të ketë lidhje me përdorimin e lëndëve narkotike, pasi në apartament u gjet një sasi e konsiderueshme crack-u.

Sipas gjyqtares, elementet e deritanishme mbështesin akuzën për tentativë vrasjeje, duke pasur parasysh zonat ku është goditur 40-vjeçari – në kraharor, qafë dhe në kyçin e dorës, plagë kjo që dyshohet të jetë shkaktuar gjatë përpjekjes për t’u mbrojtur.

Viktima iu nënshtrua një ndërhyrjeje të ndërlikuar kirurgjikale dhe aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Në momentin e ndalimit në bar, të dy të dyshuarit kishin me vete telefonin e 40-vjeçarit. 17-vjeçarja po ndiqet penalisht në gjendje të lirë. Dyshohet se ajo e ka goditur fillimisht viktimën me një objekt të fortë, ndërsa më pas Vogli e ka sulmuar fizikisht dhe në fund ka përdorur thikën.

Në vitin 2024, 37-vjeçari ishte dënuar për përleshje dhe për mbajtje armësh apo objektesh të rrezikshme, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE