LAJME / E Hënë 27 Korrik 2026, 22:10

Shqipëria si në Afrikë - Si u lejua një egjiptian me patentë të skaduar të drejtonte autobetonieren dhe pse nuk po hetohet Alba-Beton?

Aksidenti tragjik te rrethi i TEG-ut, ku humbën jetën dy shtetas egjiptianë të punësuar nga kompania Alba-Beton, ngre dyshime serioze mbi respektimin e ligjit, kontrollin institucional dhe përgjegjësitë e punëdhënësit.

Sipas të dhënave të bëra publike nga DPSHTRR, drejtuesi i autobetonieres nuk kishte leje drejtimi shqiptare dhe nuk rezultonte i pajisur me Dëshmi Aftësie Profesionale (DAP), dokument i detyrueshëm për drejtimin e mjeteve të tilla.

Më tej, VoxNews publikoi investigimin se shoferi dispononte një leje drejtimi egjiptiane që rezultonte e skaduar në momentin e aksidentit.

Nëse ky fakt konfirmohet zyrtarisht nga organet hetimore, lind një pyetje themelore: Si mund të vihej në drejtim të një autobetonierje një person pa dokumentacion të vlefshëm?

Përgjegjësia nuk mbaron te shoferi.

Në çdo kompani transporti apo ndërtimi ekziston një zinxhir përgjegjësish.

Para se një punonjës të ulet në timon, dikush duhet të verifikojë: vlefshmërinë e patentës, njohjen ligjore të saj në Shqipëri, pajisjen me certifikatat profesionale të kërkuara dhe dokumentacionin e punësimit.

Nëse këto procedura nuk janë ndjekur, atëherë çështja nuk kufizohet vetëm te gabimi individual i drejtuesit, por mund të ngrejë përgjegjësi administrative ose penale për personat që kanë lejuar ushtrimin e detyrës.

Pse nuk është njoftuar ende një hetim ndaj kompanisë Alba-Beton?

Hetimet pritet të shqyrtojnë nëse janë respektuar detyrimet ligjore për punësimin e shtetasve të huaj dhe nëse ekzistojnë përgjegjësi të personave që autorizuan drejtimin e mjetit.

Institucionet duhet të japin përgjigje:

1- Kush e verifikoi patentën e shoferit?

2- Kush kontrolloi vlefshmërinë e saj?

3- A ishte njohur ligjërisht kjo leje drejtimi në Shqipëri?

4- A ishte pajisur shoferi me Dëshminë e Aftësisë Profesionale?

5- A janë respektuar procedurat për punësimin e shtetasve të huaj?

Ndërkohë administratori i Alba-Beton, Erjon Harizi në një reagim për mediat pas aksidentit është shprehur se ka vakum ligjor.

Harizi shprehet se dy shtetasit egjiptianë i kanë sjellë agjensitë dhe se ata nuk kanë përgjegjësi ndaj tyre.

Edhe në rast se ata sjellin një elektricist dhe e zë korenti cfarë të bëjë kompania u shpreh Erjon Harizi.

“Mund të jetë e pa konvertuar, por jo pa patentë. Ka mungesë ligji, ka vakum. Agjensia na i sjellë ne dhe ne i punësojmë, i trajnojmë nuk i lëmë në dorë të tyre. Po rreth një muaj por unë kam dhe të tjerë që kanë 5 deri në 7 vjet këtu. Përderisa agjensia ne na bie elektricist, atë mund ta zejë korenti, po ca të bëjmë ne”, është shprehur Harizi.

Besimi te shteti ndërtohet me hetim, jo me heshtje

Në një shtet ligjor, çdo aksident me pasoja fatale duhet të pasohet nga një hetim i plotë dhe i paanshëm.

Nëse provohet se një kompani ka lejuar drejtimin e një automjeti të rëndë nga një person pa dokumentacionin e kërkuar, atëherë përgjegjësitë duhet të përcaktohen sipas ligjit, pavarësisht emrit të kompanisë apo ndikimit të aksionerëve./Vox News, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE