LAJME / E Hënë 16 Tetor 2023, 19:07

Tentativë grabitjeje në Lezhë, dhunohet i zoti i shtëpisë: Për 10 mijë lekë, t'marrin shpirtin...

Një tentativë grabitjeje në Lezhë përfundoi me të shtëna me armë zjarri dhe dhunimin e të zotit të shtëpisë, i cili ka qenë vetëm në banesë. Ngjarja ndodhi rreth orës 2:00 të mëngjesit të kësaj të hëne në fshatin Malecaj të Lezhës, teksa dy persona të maskuar dhe të armatosur hynë në banesën e familjes Buja.

Njëra nga fqinjet tregon se ka dëgjuar zhurmën e armës së zjarrit, teksa më vonë ka parë që bashkëfshatari i saj ishte dhunur në përpjekje për t’i shpëtuar autorëve.

“Kisha frikë me dal jashtë. Kam dal aty në penxhere, po dridhesha. Krisi arma, unë thashë i zuri shtëpia se kanë punu punëtorët, s’më shkoi mendja se do ndodhë ajo gjë. Kur e pashë atë, i thashë Nikollë çfarë ke? Kam shpëtu më tha, e kapa grykën e armës e çova lart, në atë moment tha më ka kap njëri me grushta, e kishin nxi në fytyrë. Nuk e di për Zotin, është hall…Rrehet ai tjetri, ai që s’don me punu për një 10 mijë lekëshe të merr shpirtin.”

Policia gjatë ditës së sotme ka marrë në pyetje kryefamiljarin Nikollë Buja i cili ka pohuar se nuk ka dijeni për personat të cilët tentuan t’i grabisnin banesën, ndërsa kërkon nga policia zbardhjen e kësaj ngjarjeje. Policia ende nuk ka dhënë asnjë deklaratë zyrtare në lidhje me ngjarjen.