LAJME / E Diel 27 Shtator 2026, 18:06

“Kam fajet e mia, por askush s’më bën dot palë”, Rama: Nuk kam prekur paratë, pronat dhe interesat e shqiptarëve në 28 vite në qeveri

Kryeministri Edi Rama është shprehur nga Rinasi se gjatë 28 viteve të tij në politikë dhe shërbimin publik mund të ketë bërë gabime, por mohon kategorikisht se ka vepruar kundër interesave të shqiptarëve.

Gjithashtu, ai u shpreh se ndaj tij janë bërë akuza të shumta për korrupsion dhe përfitime të paligjshme, që sipas tij, nuk ekziston asnjë provë që të dëshmojë se ka përfituar para në këmbim të firmave të vendosura gjatë kohës që ka qenë kryebashkiak apo kryeministër.

“E them sinqerisht, duhet të kem fajet e mia, por në asnjë rast dhe për asnjë arsye, nuk më bën dot askush me faj që në 28 vjet e 4 muaj në shërbim publik të kem prekur paratë, pronat dhe interesat e shqiptarëve. Patjetër që mund të dalin plot dhe të flasin në emrin tim, të thonë se pas një bëme korruptive jam unë, të tregojnë përralla me arkitektët e botës mbledhur rreth meje për të pastruar paratë e kullave të mia, se oligarkët e Shqipërisë i fitojnë lekët me mua, u shes toka Shqipërie dhe fluturojnë me avionë privatë.

Të tëra! Të tëra dhe shumë më shumë se këto i kanë thënë përsëri e mund t’i thonë bashkë me të tjera të reja që do t’u pjellë mendja e fantaksur, por një provë që një bir nënë të ketë hedhur në xhepin tim, në këmbim të një firme të vetme të hedhur nga unë si nga kryebashkiak apo kryeministër, s’e nxjerr dot, se nuk ka lindur akoma ai lloj fenomeni”, tha Rama.