
Aktivisti Rron Gjinovci ka publikuar një analizë të numrit të pjesëmarrësve në protestën e mbajtur sot në Prishtinë, duke pretenduar se në të kanë marrë pjesë rreth 25 mijë deri në 33 mijë protestues.
Gjinovci, përmes një postimi në rrjetet sociale, ka thënë se numrin e ka nxjerrë përmes një përllogaritjeje të bazuar në sipërfaqen e Bulevardit “Nënë Tereza” dhe dendësinë e turmës.
Ai ka pretenduar se, bazuar në fotografinë ajrore të publikuar nga deputeti i PDK-së, Artan Behrami, protesta është shtrirë nga Sheshi “Skënderbeu” deri te Sheshi “Nënë Tereza”, me dendësi më të madhe pranë skenës dhe më të ulët në pjesët tjera të bulevardit.
Sipas Gjinovcit, sipërfaqja e përgjithshme e matur përmes Google Maps është rreth 14,271 metra katrorë.
Ai ka përmendur edhe të ashtuquajturën “Metoda e Jacobs-it”, sipas së cilës numri i pjesëmarrësve përllogaritet duke shumëzuar sipërfaqen e zënë me dendësinë e personave për metër katror.
“Me 4 persona për metër katror, maksimumi teorik do të ishte rreth 57 mijë protestues”, ka shkruar Gjinovci, duke e cilësuar këtë skenar si jorealist për shkak të dendësisë së madhe.
Në përllogaritjen e tij, ai ka zbritur hapësirat që, sipas tij, nuk janë zënë nga turma, duke përfshirë parkingje, oborre, shatërvanin, kafeteritë, drunjtë dhe skenën.
Pas kësaj, Gjinovci ka vlerësuar se sipërfaqja efektive e mbushur me protestues është rreth 11 mijë metra katrorë, ndërsa dendësia mesatare, sipas tij, ka qenë nga 2.5 deri në 3 persona për metër katror.
Nga kjo përllogaritje, ai ka dalë në përfundimin se në protestë kanë qenë 25 mijë deri në 33 mijë persona, ndërsa rreth 57 mijë e ka cilësuar si “maksimum teorik”.
Gjinovci ka bërë të ditur se për këtë analizë ka përdorur fotografinë ajrore të deputetit Artan Behrami, matje përmes Google Maps dhe një poster shpjegues të krijuar me ndihmën e ChatGPT-së.
Megjithatë, shifra e saktë e pjesëmarrësve nuk është konfirmuar zyrtarisht dhe përllogaritjet e bazuara në fotografi ajrore dhe dendësinë e turmës mund të ndryshojnë në varësi të metodologjisë së përdorur.
