
Një aksident rrugor ka ndodhur pasditen e kësaj të shtune në Rrugën e Arbrit, në zonën e Shupenzës.
Sipas informacioneve paraprake, dy automjete janë përplasur me njëri-tjetrin dhe kanë përfunduar në anë të rrugës.
Si pasojë e aksidentit kanë mbetur të plagosur dy persona, të cilët janë transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Bulqizës, ku po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore.
Menjëherë pas aksidentit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë dhe grupi hetimor, të cilët kanë nisur punën për dokumentimin e ngjarjes dhe zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe rrethanave të aksidentit.
