LAJME / E Martë 21 Korrik 2026, 22:10

Pushteti deh socialistët/ Investime në troje, apartamente e pyje; Hasalla, Bido dhe Kushi me makina deri në 25 mijë euro

Ja kush janë milionerët e Partisë Socialiste…

Qëndrimi në pushtet për më shumë se 3 mandate ka qenë fitimprurës për socialistët. “Pamfleti” ka siguruar deklarimet pasurore të deputetëve të PS për vitin që lamë pas dhe një pjesë e madhe e tyre nuk e fshehin luksin.

Në mesin e tyre bien në sy blerjet e automjeteve me vlera të konsiderueshme, por edhe prona të reja, ndërtesa, troje, ullishte, pyje e garazhe.

Në krye të listës për makinat e reja renditet Ardit Bido, i cili ka deklaruar blerjen e një automjeti me vlerë 25 mijë euro, ndërsa Saimir Hasalla ka shtuar në pronësi një automjet me vlerë 24 mijë euro.

 

Edhe Evis Kushi ka rinovuar garazhin. Ajo ka deklaruar blerjen e një automjeti me vlerë 20 mijë euro, ndërsa më parë ka shitur një tjetër makinë për 6 mijë euro.

Por pasuria e Kushit nuk ndalet vetëm te automjetet. Deputetja socialiste rezulton bashkëpronare në disa prona të trashëguara, ku përfshihen një ullishte me sipërfaqe 5,360 metra katrorë, një tjetër ullishte prej 707 metrash katrorë, si edhe një pronë tjetër prej 20,513 metrash katrorë, ku gjatë vitit është deklaruar pakësim i sipërfaqes.

Një nga emrat me më shumë pasuri të paluajtshme është edhe Lindita Nikolla. Sipas deklarimit, ajo është bashkëpronare me 50% e një trualli me ndërtesë me sipërfaqe totale 460 metra katrorë. Gjithashtu, gjatë vitit rezulton se nuk zotëron më dy apartamente me sipërfaqe 77.7 dhe 104.36 metra katrorë, të cilat figuronin në bashkëpronësi.

Ndërkohë, Ervin Hoxha ka deklaruar një truall prej 22 metrash katrorë, si dhe një truall me ndërtesë me sipërfaqe 544 metra katrorë, të përfituara me dhurim, ku zotëron 16.667% të secilës pronë.

Bledar Çuçi ka shtuar në deklarim një pyll prej 1,000 metrash katrorë, të krijuar nga të ardhurat, ndërsa Agron Malaj ka deklaruar një garazh prej 15 metrash katrorë, me vlerë 700 mijë lekë, të krijuar nga kursimet.

Nga ana tjetër, Erion Braçe ka deklaruar se nuk zotëron më apartamentin prej 89 metrash katrorë, pasi ai rezulton i shitur.

Në deklarimin e Arbjan Maznikut bie në sy një ndërtesë me sipërfaqe 82 metra katrorë, në bashkëpronësi 50%. Në dokument figuron një vlerë prej mbi 40 milionë euro, e cila duket qartazi si një gabim në deklarim, pasi është e papajtueshme me vetë karakteristikat e pasurisë.

Në tërësi, deklarimet tregojnë se deputetët socialistë vijojnë të shtojnë ose të riorganizojnë asetet e tyre, duke investuar si në pasuri të paluajtshme ashtu edhe në automjete. Nga makinat me vlerë dhjetëra mijëra euro, te trojet, ndërtesat, ullishtet dhe pyjet, duket se vitet e gjata në pushtet nuk kanë qenë aspak të pafrytshme për portofolin e një pjese të përfaqësuesve të mazhorancës.

Ja pasuritë e disa prej deputetëve

Lindita Nikolla

Truall + ndërtesë – 460 m², bashkëpronare 50% (230 m²).

Apartament – 77.70 m², 50% bashkëpronësi (nuk e zotëron më, ndryshim më 10.01.2025).

Apartament – 104.36 m², 50% bashkëpronësi (nuk e zotëron më, ndryshim më 10.01.2025).

Saimir Hasalla

Automjet – blerë në vitin 2025, vlerë 24,000 euro.

Evis Kushi

Ullishte – 5,360 m², pjesë takuese 2.778% (148.88 m²), trashëgimi.

Ullishte – 707 m², pjesë takuese 2.778% (19.63 m²), trashëgimi.

Ullishte – 20,513 m², me pakësim prej 4,600 m².

Automjet – blerë për 20,000 euro.

Automjet – i shitur për 6,000 euro.

Ervin Hoxha

Truall – 22 m², bashkëpronar 16.667% (3.66 m²), përfituar me dhurim.

Truall + ndërtesë – 544 m², bashkëpronar 16.667% (90.66 m²), përfituar me dhurim.

Erion Braçe

Apartament i shitur– 89 m²

Bledar Çuçi

Pyll – 1,000 m², pronar 100%, krijuar nga të ardhurat.

Ardit Bido

Automjet – blerë në vitin 2025, vlerë 25,000 euro.

Arbjan Mazniku

Ndërtesë – 82 m², bashkëpronar 50%.

Në deklarim figuron vlera 40,030,848 euro, e cila duket qartazi si një gabim deklarimi.

Agron Malaj

Garazh – 15 m², pronar 100%, krijuar nga kursimet.

Vlera: 700,000 ALL.

/Pamfleti, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE