LAJME / E Diel 22 Tetor 2023, 18:06

Pranoi ta martonte kur ishte 16 vjeçe, vajza vjen t’i heqë babait pengun e zemrës

Florina e ndau historinë e jetës së saj në “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan ku tregoi për martesën e hershme, kalimin në depresion, dhunën në shtëpinë e bashkëshortit, ikjen dhe rikthimin derisa vendos që të mos bëjë më hapa pas.

Në gjithë këtë rrugëtim të vështirë, krah i ka qëndruar familja por pika e saj më e dobët është i ati, Bujari. Ajo e ka parë shpesh me lot në sy dhe e di se ai e fajëson veten që e martoi vajzën kur ishte 16 vjeçe.

Kjo është arsyeja pse e ka ftuar në program, për t’i shprehur falenderimin dhe mirënjohjen e saj, por edhe për t’i larguar pengun që i peshon në zemër.

Florina: Shumë fjalë për ty për mua janë pak, sado të t’i them. Ti gjithmonë ndoshta as nuk kam arritur të t’i them në shtëpi apo kur jemi mbledhur familja, por thashë këtu te “Ka Një Mesazh Për Ty” le ta marrin vesh të gjithë që ti për mua babi je i veçantë dhe e falenderoj Zotin që ke qenë gjithmonë pranë meje.

Florina: Gjithmonë që unë kam pasur nevojë për ty babi, edhe sot e sot ti gjithmonë je pranë meje. Ti nuk duhet ta mbash më atë peng që thua “gocën e madhe e paça në qafë babi se unë isha ai”. Jo, babi.

Florina: Po. Unë kam shumë babi… vërtet ajo ishte e caktuar që unë të shkoja por sot të shohim anën pozitive sepse unë sot jam me tre fëmijët, me bashkëshortin, jemi një familje e lumtur babi dhe ti duhet të jesh i qetë tani.

Ndërkohë edhe Bujari ka disa fjalë për të bijën.

Bujar: Më dëgjo bija ime. Ju kam rritur me faqe të bardhë.

Florina: Të jam falenderuese babi, shumë.

Bujar: Tre bijat e mia, tre djemtë e mi, me nipër, me mbesa, me gjithë sa ka zemra ime dhe gjaku i trupit tim. Jemi një familje shumë e rregullt, jam krenar që më respekton, që arrite të më biesh deri këtu. Fiksimi i jetës, fiksimi në kuptimin e fjalës derisa ti ke arritur të jetosh shtëpi më shtëpi me qira, po vuan me gjithë 3 nipërit e mi, ajo është fiksimi im bija ime./tvklan.al