
Pas përfundimit të vizitës në Shtetet e Bashkuara, kryeministri Edi Rama do të dalë me një komunikim publik menjëherë pas mbërritjes në Shqipëri.
Kreu i qeverisë pritet të flasë nga salla e konferencave në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, ku do t’u drejtohet qytetarëve me një mesazh të posaçëm.
Dalja e Ramës u paralajmërua përmes një njoftimi të shpërndarë për mediat mbrëmjen e kaluar, por momenti i saktë i konferencës mbetet ende i papërcaktuar.
Shkak është bërë moti i keq, i cili ka krijuar paqartësi lidhur me nisjen e kryeministrit nga aeroporti JFK në New York dhe, rrjedhimisht, edhe me orën e mbërritjes së tij në Tiranë.
Sipas njoftimit, gjatë paradites pritet të komunikohet orari përfundimtar kur Rama do të dalë përpara mediave.
Mesazhi nga Rinasi vjen menjëherë pas vizitës së kryeministrit në Shtetet e Bashkuara.
