LAJME / E Enjte 24 Shtator 2026, 14:02

“Operacion ndikimi”/ Nga lodrat e sek*it, tek mbathjet e sms dashurie, çfarë mbulon SPAK me “kronikën rozë”

Detajet e rrjedhura nga dosja hetimore e Vlora Hysenit e paraqesin shefen e shkarkuar të Shërbimit Sekret si një zonjë, që dashuria ndaj personit në kërkim, Ergys Agasi, e çoi drejt kryerjes së veprave penale.

Prokuroria e Posaçme (SPAK) dyshon se zonja Hyseni ka kryer dy vepra penale: “përkrahje e autorit të krimit” dhe “zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”.

Nga narrativa e sugjeruar deri më tani nga prokuroria, nëpërmjet kanaleve mediatike, krijohet idea se këto dy vepra penale lidhen me të njëjtin fakt-ajo ka ndihmuar Agasin t’i shmanget zbatimit të urdhër-arrestit të lëshuar nga Gjykata e Posaçme, si edhe i ka dhënë atij informacione nga strukturat e tjera shtetërore për t’iu shmangur operacioneve (të mundshme) për arrestimin e tij.

Opozita, e cila e ka akuzuar publikisht Vlora Hysenin prej kohësh se ka shpërndarë informacione sekrete për grupe kriminale, ka deklaruar këto ditë se Prokuroria e Posaçme shpërndan qëllimisht informacione “rozë”, për të shmangur skandalet e vërteta të kryera nga ish-drejtuesja e SHISH

Më herët, Prokuroria e Posaçme zhvilloi një hetim ndaj ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj, për “aferën e inceneratorëve”. Të dhënat e përcjella fillimisht nga dosja hetimore u fokusuan kryesisht tek “lodra seksi”, të gjetura në një nga ambjentet e dyshuara si në pronësi të Ahmetajt.

Ish-numri dy i qeverisë ka mohuar çdo firmë për “aferën e inceneratorëve”, duke ia ngarkuar përgjegjësinë ish-shefit të tij, kryeministrit Edi Rama.

Në dalje publike, Ahmetaj është shprehur i bindur se nxjerrja e detajeve të “lodrave të seksit” ka qenë një “operacion ndikimi”, një fushatë delegjitimi të personit të tij nga SPAK-u, me qëllim për të fshehur dhe anashkaluar përgjegjësitë e Ramës në skandalin e inceneratorëve.

Kur Prokuroria e Posaçme arrestoi kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, për korrupsion, u kujdes të shpërndante publikisht faktin se bashkëshortja e tij, Ajola Xoxe, kishte blerë rreth 860 mijë euro veshje të brendshme, mbathje e të tjera intime.

Xoxe dhe avokatët e Veliaj kanë deklaruar se këto shpenzime nuk janë personale, por për veprat artistike që kuronte zonja e kryebashkiakut, në aktivitetet e organizuara nga një grup organizatash jo-qeveritare.

Narrative e ngritur nga SPAK-u për veshjet intime zuri vend gjerësisht në publik, duke mbuluar dyshimet e ngritura, kryesisht nga opozita, se prokurorët po shmangin problemet e vërteta të Veliajt me korrupsionin, për çështje që lidhen me inceneratorin e Tiranës apo me korrupsionin e dyshuar masiv me lejet e ndërtimit në kryeqytet.

Tre rastet, ndër më tipiket e ngritura nga Prokuroria e Posaçme, përmbajnë element të asaj që Byroja Federale e Investigimit në Shtetet e Bashkuara, FBI-ja, e quan me termin “operacion ndikimi”.

Është një strategji, e cila duket se po zbatohet me përpikmëri nga SPAK-u-shpërndarja e “kronikës rozë”, me qëllim shmangien nga problemet e vërteta.

Një “operacion ndikimi”, në mënyrë të përmbledhur, është një veprimtari e organizuar që synon të ndryshojë mënyrën se si një person, grup ose publiku e percepton një objektiv.

Qëllimi nuk është domosdoshmërisht të shpikësh një gënjeshtër. Mund të përdorësh fakte të vërteta, por të vendosësh cilat fakte dalin në publik, kur dalin, si paraqiten dhe sa shumë përsëriten.

Le të marrim një situatë hipotetike. Një aktor publik, përshembull SPAK-u, ka interes që publiku të krijojë një imazh të caktuar për një individ.

Nuk ka nevojë të shpikë asgjë. Por, mund të ndjekë një strategji të tillë: përzgjedh 2-3 nga një mori episodesh negative. I nxjerr në media të caktuara, jep informacion të pjesshëm, pa dhënë të gjithë kontekstin. Të njëjtën histori e shpërndan “me pikatore” për shumë ditë, në kanale të ndryshme mediatike.

Në fund, publiku ekspozohet vazhdimisht ndaj të njëjtave fakte. Dhe, ja ku jemi: hetimi për aferën e inceneratorëve ndaj Ahmetajt, përfundoi tek “lodrat seksi”. Hetimi për Veliajn u kanalizuar tek “mbathjet e Ajolës”, ndërsa ai për Vlora Hysenin, mbetet tek mesazhet e dashurisë së saj ndaj Agasit.

Pra, qëllimi nuk është domosdoshmërisht të shpikësh një gënjeshtër. Mund të përdorësh fakte të vërteta, por të vendosësh cilat fakte dalin në publik, kur dalin, si paraqiten dhe sa shumë përsëriten.

Në një shoqëri globale, e cila priret më shumë nga “histori telenovelash”, përfshirja e elementëve rozë në hetimet penale përbën gjithnjë një interes të shtuar. Prokurorët e posaçëm shqiptarë nuk kanë “shpikur rrotën” në këtë drejtim.

Shumë agjenci ndërkombëtare, sidomos atë që lidhen me Inteligjencën, i shfrytëzojnë elementët rozë, me qëllim për të shmangur vëmendjen e opinionit nga thelbi real i problemit, i krimit të supozuar dhe shmangia e bashkëpunëtorëve apo zyrtarëve më të rëndësishëm se sa subjektet e hetimit.

Studimet mbi raportimin e krimit tregojnë se media i japin disproporcionalisht më shumë vëmendje rasteve spektakolare dhe sensacionale, ndërsa raportimi i krimit në përgjithësi nuk pasqyron domosdoshmërisht shpërndarjen reale të kriminalitetit.

Jeta private, marrëdhëniet intima, kanë një tërheqje më të madhe për publikin. Çështjet penale janë komplekse (kontrata, dokumenti, procedura, etj). Ndërsa elementët intimë e bëjnë më të thjeshtë (zyrtari, burri, gruaja, i/e dashura, sekreti).

Por për zyrtarët e lartë ekziston edhe diçka tjetër: zhvendosja e fokusit. Pyetja kryesore në një hetim penal ndaj zyrtarëve: çfarë kanë bërë?

Por, duke përfshirë “elementin rozë”, e gjithë vëmendja shkon tek elementë, si: me kë ka pasur lidhje, ku ka fjetur, mesazhet private, jeta seksuale, fotogafitë dhe videot personale.

Media, natyrisht, i përtyp menjëherë lajmet sensacionale. Por, kur ato janë të vetmet informacione që trafikohen nga dosjet sekrete të Prokurorisë së Posaçme, atëherë gjithçka duket se është një “operacion ndikimi”./ Marre nga boldnews.al