LAJME / E Enjte 10 Shtator 2026, 12:12

Nuk doli gjallë nga klinika private, Prokuroria greke nis hetimin për vdekjen e Giorgos Mazonakis

Vdekja e papritur e këngëtarit të njohur grek Giorgos Mazonakis ka marrë një tjetër kthesë, pasi autoritetet kanë nisur verifikimet për mënyrën se si ai u trajtua në orët e fundit të jetës.

Prokuroria ka hapur procedurat për të zbardhur rrethanat e vdekjes së 54-vjeçarit, ndërsa në qendër të hetimit është vendosur edhe një mjeke e një klinike private në Athinë, ku këngëtari kishte kërkuar ndihmë pasi ishte ndier keq.

Sipas raportimeve, Mazonakis u paraqit fillimisht në një klinikë private në zonën e Kolonakit, në Athinë. Gjatë qëndrimit aty, gjendja e tij dyshohet se u përkeqësua, duke bërë që të thirrej ambulanca e EKAB-it për transportimin e tij drejt spitalit “Elpis”.

Pasi mbërriti në spital, mjekët tentuan ta mbajnë në jetë, por ndërhyrjet nuk rezultuan të suksesshme. Sipas të dhënave të para, 54-vjeçari humbi jetën pas një arresti kardiak.

Tashmë hetimi pritet të përqendrohet te minutat dhe orët para transportimit në spital. Autoritetet po verifikojnë nëse trajtimi i marrë në klinikën private ishte i përshtatshëm për gjendjen e tij, si dhe nëse ka pasur ndonjë vonesë apo gabim në vlerësimin e situatës shëndetësore.

Për këtë arsye, janë mbledhur të dhënat e kartelës mjekësore, së bashku me informacionet mbi ndërhyrjet dhe trajtimet e kryera përpara se këngëtari të dërgohej në spital.

Në fokus të verifikimeve është edhe një tjetër detaj: trajtimi që Mazonakis po ndiqte përpara se gjendja e tij të përkeqësohej. Autoritetet pritet të shqyrtojnë nëse ky trajtim mund të ketë pasur ndonjë lidhje me problemet shëndetësore që u shfaqën në orët e fundit.


Për momentin, hetimi nuk përcakton përgjegjësi dhe as nuk konfirmon se trajtimi mjekësor ka shkaktuar apo ndikuar në vdekjen e këngëtarit. Pikërisht këto janë çështjet që pritet të sqarohen përmes verifikimeve mjekësore dhe hetimore.

Mazonakis ishte një prej figurave më të njohura të muzikës greke dhe kishte ndërtuar një karrierë të gjatë në skenë. Largimi i tij në moshën 54-vjeçare ka shkaktuar reagime të shumta në Greqi, ndërsa tashmë vëmendja është kthyer te hetimi që pritet të zbardhë se çfarë ndodhi realisht në orët para vdekjes së tij.