
Data 22 Nëntor e njohur si Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe do të jetë festë kombëtare dhe për rrjedhojë, ditë zyrtare pushimi si të gjitha festat e tjera kombëtare.
Ideja për të shtuar këtë ditë të re festash kombëtare ka ardhur nga presidenti i Republikës, Bajram Begaj, por u bë e ditur të enjten nga kryeministri Edi Rama.
Më herët kjo ditë ishte bërë festë kombëtare në Maqedoninë e Veriut. Tani pritet që të bëhet nga 2024 edhe në Shqipëri, ndërsa nuk dihet nëse kjo do të ndodhë edhe në Kosovë, raporton noa.al.
Në fjalën e tij në Samitin e Tretë të Diasporës në Tiranë, Rama tha se nisma vjen me "një sugjerim shumë të arsyeshëm të Presidentit të Republikës" dhe shtoi: “…Arbën Xhaferri i cili nuk jeton më, pati vizionin që të kërkojë që Dita e Alfabetit, 22 Nëntori të jetë një ditë e njohur si festë kombëtare për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut.
Tani është dita që Dita e Alfabetit, dita e gjuhës që na bashkon të gjithëve dhe që është thesari dhe bekimi ynë më i madh, të jetë një dite feste kombëtare edhe në Shqipëri.
Dhe patjetër unë besoj që edhe Presidentja e Kosovës do ia japë këtë sugjerim kryeministrit të vet. Unë e dëgjoj Presidentin për veten time”, u shpreh Rama.
