LAJME / E Enjte 24 Shtator 2026, 17:05

Klodiana Lala takime me agjente sekretë serbë? Trondit gazetari: Cfarë u ka bërë gazetarëve “SHISH-i i Vlora Agasit”?

Deklarata e Vlora Hysenit ndaj gazetares Klodiana Lala nuk mund të trajtohet si një batutë e hedhur në nerva, në hyrje të GJKKO-së. Ajo ngre dyshime të rënda për mënyrën se si mund të jetë përdorur institucioni më sekret i shtetit shqiptar.
“Si kalon ti në takime me agjentët serbë në dhomat e hotelit Rogner?”, i tha ish-drejtoresha e SHISH-it gazetares.

Nga e dinte Vlora Hyseni këtë? Në fakt unë di që shumë gazetarë oborri apo politikanë të PD-së dhe moderatore te TV-ve pranë Ramës kalonin orë të tëra në ‘Bazen’ e SHISH në “Equos” ku jo rrallëherë u sherbente alkol dhe puro Suel Çela.

Ndaj SHISH-i dhe SPAK-u duhet të përgjigjen publikisht: nëse deklarata ishte trillim, atëherë ish-drejtoresha e SHISH-it ka përdorur një akuzë të rëndë për të intimiduar dhe diskredituar një gazetare. Nëse pretendimi mbështetej në informacione operative, atëherë çështja është shumë më serioze: kush e ka ndjekur gazetaren, kush ka mbledhur të dhëna për takimet e saj dhe me çfarë autorizimi ligjor?

Kush e vuri median nën lupën e shërbimit sekret?

SHISH-i nuk është agjenci thashethemesh dhe as instrument privat për të survejuar kundërshtarët, gazetarët apo burimet e tyre. Ky institucion ekziston për të mbrojtur sigurinë kombëtare, jo për të furnizuar drejtuesit e tij me materiale komprometuese kundër medias.

Nëse SHISH-i kishte informacion mbi hyrjet, daljet, takimet apo kontaktet e Klodiana Lalës, duhet të sqarohet menjëherë:

A ishte gazetarja objekt i mbledhjes së informacionit?
A ishte survejuar fizikisht apo elektronikisht?
A ishin identifikuar dhe regjistruar burimet e saj?
Kush e kishte urdhëruar këtë proces?
Në cilën dosje ishte administruar informacioni?
Kush kishte akses në të?
A iu ishte shpërndarë informacioni personave jashtë SHISH-it?
A kishte përfituar prej tij rrethi politik apo kriminal i Ergys Agasit?
A ishte SHISH-i një zgjatim i rrjetit të Gys Agasit?

Hetimi duhet të përcaktojë nëse Vlora Hyseni drejtonte një institucion të sigurisë kombëtare apo një strukturë që prodhonte informacion për njerëzit e pushtetit dhe rrethet e lidhura me ta.

Dyshimi bëhet edhe më i rëndë nëse informacionet e klasifikuara kanë përfunduar te persona banditë, pa asnjë funksion shtetëror, por me ndikim politik, ekonomik apo kriminal.

Ergys Agasi nuk ka pasur asnjë mandat kushtetues për të administruar informacion sekret. Nëse ai ka marrë të dhëna nga SHISH-i, ka orientuar mbledhjen e tyre ose ka përdorur materiale kundër gazetarëve, atëherë nuk kemi vetëm shpërdorim detyre. Kemi dyshimin për kapjen e shërbimit sekret nga një strukturë paralele pushteti.

Pikërisht këtu duhet të hyjë SPAK-u.

Duhet të sekuestrohen dhe verifikohen regjistrat e aksesit, komunikimet, raportet operative, urdhrat e ndjekjes, materialet e klasifikuara dhe çdo shkëmbim informacioni mes drejtuesve të SHISH-it, zyrtarëve politikë dhe personave të jashtëm.

Duhet të zbardhet nëse emri i Klodiana Lalës është i vetmi emër gazetari në këto materiale apo vetëm maja e një dosjeje shumë më të madhe. Unë jam njëri nga gazetarët që kam denoncuar Ergys Agasin dhe bandat kriminale. Ndoshta Vlora i ka ndezur radaret edhe per mua nga dashnia per dashnorin e bandave.

Survejimi i një gazetari nuk synon vetëm gazetarin. Ai synon burimet që denoncojnë korrupsionin, krimin e organizuar dhe lidhjet e tij me pushtetin.

Nëse janë regjistruar takimet, lëvizjet dhe komunikimet e gazetarëve, atëherë mund të jenë identifikuar edhe prokurorë, oficerë policie, punonjës të administratës dhe qytetarë që kanë dhënë informacione me interes publik.

Kjo do të nënkuptonte se një strukturë e krijuar për të mbrojtur shtetin mund të jetë përdorur për të mbrojtur pushtetin nga e vërteta.

Dhe nëse të dhënat për burimet gazetareske kanë kaluar në duart e njerëzve të lidhur me krimin, pasojat nuk janë vetëm profesionale. Ato prekin drejtpërdrejt jetën dhe sigurinë e gazetarëve dhe të informatorëve të tyre.

Por po aq qartë duhet thënë se deklarata e ish-drejtoreshës së SHISH-it krijon një dyshim të arsyeshëm që na rikthen në SHIK-un e Bashkim Gazeidedes.

Vlora Gyseni duhet të shpjegojë nëse deklarata e saj ishte trillim, informacion personal apo e dhënë e siguruar gjatë ushtrimit të detyrës. SHISH-i duhet të deklarojë nëse ka administruar materiale për Klodiana Lalën dhe gazetarë të tjerë. SPAK-u duhet të verifikojë nëse strukturat e inteligjencës janë përdorur për qëllime politike, personale apo kriminale.

Kjo çështje nuk zgjidhet me një përgënjeshtrim formal. Zgjidhet vetëm me hetim të plotë, gjurmë dokumentare dhe përgjegjësi penale.

Sepse, nëse SHISH-i ka mbledhur informacion për gazetarët dhe ia ka përcjellë një rrethi jashtë kontrollit institucional, nuk kemi të bëjmë me një incident. Kemi të bëjmë me ndërtimin e një policie sekrete në shërbim të pushtetit.

Dhe nëse SPAK-u e anashkalon këtë pistë, pyetja nuk do të jetë më vetëm nëse SHISH-i i Gys Agasit ka përgjuar gazetarët, por kush e mbron këtë sistem dhe pse?