
Një grabitje ka ndodhur gjatë natës së të martës në fshatin Shelegar të Bashkisë Sarandë, ku një banesë ka rënë pre e hajdutëve ndërsa familjarët ndodheshin në një event familjar.
Nga kontrolli paraprak mësohet se hajdutët kanë shfrytëzuar faktin që shtëpia e kryefamiljarit Mejdi Tusha ishte e pabanuar, pasi të gjithë anëtarët e familjes ndodheshin në dasmën e një të afërmi të tyre.
Ngjarja u zbulua kur një nga pjesëtarët e familjes u kthye në banesë dhe u përball me rrëmujën e madhe në dhomat e shtëpisë, duke kuptuar menjëherë se aty kishin hyrë persona të paautorizuar.
Sipas burimeve nga familjarët, autorët – që dyshohet se kanë qenë dy persona – kishin vëzhguar lëvizjet e familjes Tusha dhe kishin pritur momentin e duhur për të goditur.
Për të shmangur identifikimin nga organet e rendit, hajdutët u treguan të kujdesshëm duke shkatërruar fillimisht kamerën e sigurisë që ndodhej e montuar në banesë, përpara se të depërtonin brenda.
“Nga banesa e Mejdi Tushes janë vjedhur rreth 15 milionë lekë të vjetra si dhe disa bizhuteri me vlerë,” bëjnë të ditur burime pranë familjes.
Pas denoncimit të menjëhershëm, shërbimet e Policisë së Sarandës mbërritën në vendngjarje bashkë me grupin hetimor për të këqyrur skenën e krimit dhe për të mbledhur provat materiale.
Aktualisht, grupi hetimor po punon intensivisht për identifikimin e plotë, lokalizimin dhe kapjen e autorëve, si dhe për zbardhjen e të gjitha rrethanave të kësaj vjedhjeje.
