
Nga dita e sotme ka hyrë në fuqi faza e dytë e vendimit të Qeverisë së Kosovës për rritjen e pagës minimale, me ç’rast paga minimale bruto rritet në 500 euro në muaj. Kjo masë është pjesë e zbatimit të vendimit të miratuar më herët nga ekzekutivi, i cili parashihte rritjen graduale të pagës minimale në dy faza.
Faza e parë e këtij vendimi kishte hyrë në fuqi më 1 janar 2026, kur paga minimale u rrit nga 350 euro në 425 euro bruto. Me hyrjen në fuqi të fazës së dytë, paga minimale arrin në 500 euro bruto për të gjithë punëtorët që përfshihen nga ky vendim.
Sipas Qeverisë, rritja e pagës minimale synon të përmirësojë standardin e jetesës së punëtorëve, të rrisë fuqinë blerëse dhe të përshtatë nivelin minimal të pagës me ndryshimet ekonomike dhe rritjen e kostos së jetesës. Institucionet kanë vlerësuar se nga kjo masë pritet të përfitojnë rreth 150 mijë punëtorë, kryesisht në sektorin privat.
Ndërkohë, Inspektorati Qendror i Punës ka paralajmëruar se do të monitorojë zbatimin e vendimit nga punëdhënësit, për t’u siguruar që paga minimale e re të respektohet në praktikë. Autoritetet kanë bërë të ditur se do të trajtojnë çdo ankesë të mundshme lidhur me moszbatimin e këtij detyrimi ligjor.
Nga ana tjetër, përfaqësues të komunitetit të biznesit dhe disa sindikata kanë shprehur më herët shqetësime për ndikimin që rritja e pagës minimale mund të ketë në sektorë të caktuar, ndërsa kanë kërkuar mbështetje shtesë për bizneset që mund të përballen me kosto më të larta të punës.
Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, paga minimale në Kosovë arrin për herë të parë në nivelin prej 500 euro bruto, duke shënuar një nga ndryshimet më të rëndësishme në tregun e punës gjatë viteve të fundit, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE
