LAJME / E Premte 11 Shtator 2026, 00:12

NGA DASMA TEK POLICIA! U shfaq e mbuluar me ar, por pak ditë më vonë gjithçka ndryshoi

Një dasmë që nisi si spektakël luksi në rrjetet sociale është kthyer brenda pak ditësh në një çështje që po hetohet nga autoritetet turke.

Influencuesja Ça?la Öz dhe Mehmet Fatih Tançalan, i njohur në rrjet si “Vanl? Kara Haydar”, u martuan më 6 shtator në Van. Pamjet nga ceremonia u bënë menjëherë virale për shkak të sasisë së madhe të arit që iu vendos nuses, nga kurora dhe gjerdanët, te brezi dhe byzylykët.

Në një moment, byzylykët ishin aq të shumtë sa nuk i nxinte më krahu dhe pjesa tjetër iu var në qafë me një zinxhir.

Në mediat turke u raportua se vlera e bizhuterive të ekspozuara arrinte në rreth 44 deri në 45 milionë lira turke. Pamjet morën vëmendje të madhe në rrjete sociale dhe dasma u shndërrua në një nga temat më të komentuara të ditëve të fundit.

Por vetëm pak ditë pas ceremonisë, Mehmet Fatih Tançalan u ndalua nga policia në kuadër të një hetimi të nisur nga Prokuroria e Vanit.

Krahas procedurës penale ndaj tij, autoritetet kërkuan edhe verifikimin e burimit të pasurisë dhe të sasisë së madhe të arit e parave të shfaqura në dasmë, duke përfshirë edhe MASAK, institucionin turk që merret me hetimin e transaksioneve financiare të dyshimta.

Më pas, Tançalan u arrestua dhe u dërgua në paraburgim, ndërsa hetimi financiar për dasmën vazhdoi.

Mediat turke raportuan gjithashtu se ai kishte deklaruar se një pjesë e elementeve luksoze të dasmës ishte siguruar përmes sponsorëve dhe se disa prej bizhuterive ishin marrë me qira. Këto pretendime, megjithatë, mbeten pjesë e materialit hetimor dhe nuk përbëjnë përfundim zyrtar të çështjes.

Zhvillimi më i fundit ka ardhur më 10 shtator, kur edhe Ça?la Öz është ndaluar nga autoritetet turke.

Burimi i arit, valutës dhe parave të ekspozuara në dasmë po shqyrtohet në kuadër të të njëjtit hetim. Ndalimi i saj nuk nënkupton fajësi apo dënim, pasi procedurat janë ende në zhvillim.

Ndërkohë, pas nisjes së hetimeve, Ça?la Öz kishte mbyllur edhe llogaritë e saj në rrjetet sociale, një tjetër veprim që mori vëmendje të madhe në mediat turke.

Brenda vetëm pak ditësh, dasma që u bë virale për luksin dhe “shiun e arit” është kthyer në objekt të një hetimi financiar dhe penal që vazhdon të prodhojë zhvillime.