
Ndryshimi i orës vjen më herët se zakonisht këtë vit. Në natën mes 24 dhe 25 tetorit, ora 03:00 do të bëhet 02:00. Këtë vit kalimi në orën dimërore ndodh në datën më të hershme të mundshme
Ndryshimi i orës këtë vit do të vijë më herët se zakonisht. Kalimi nga ora verore në atë dimërore do të bëhet në natën mes së shtunës, 24 tetor, dhe së dielës, 25 tetor 2026. Në Shqipëri, në orën 03:00, akrepat do të kthehen 60 minuta pas dhe ora do të bëhet 02:00.
Kjo do të thotë se atë natë do të “fitojmë” një orë më shumë gjumë.
Data 25 tetor është edhe data më e hershme e mundshme për kalimin në orën dimërore, pasi ndryshimi bëhet gjithmonë të dielën e fundit të tetorit. Herën e fundit që ndryshimi ndodhi kaq herët ishte në vitin 2020.
Në pranverë ndodh e kundërta: akrepat çohen një orë përpara, duke sjellë më shumë dritë gjatë pasdites dhe mbrëmjes.
Ndërsa në vjeshtë, kthimi i orës një orë pas sjell më shumë dritë në mëngjes, por errësira bie më herët në mbrëmje.
Ndryshimi i orës bëhet gjatë fundjavës pikërisht për të kufizuar sa më shumë ndikimin te puna, udhëtimet dhe jeta e përditshme.
Si ndikon ndryshimi i orës te organizmi?
Edhe pse bëhet fjalë vetëm për një orë, ndryshimi mund të ndikojë përkohësisht në ritmin biologjik të trupit.
Te disa persona mund të shfaqen lodhje, përgjumje, vështirësi në përqendrim ose ndryshime humori gjatë ditëve të para.
Ndikimi mund të jetë më i ndjeshëm te fëmijët, të moshuarit, personat me çrregullime të gjumit dhe ata që punojnë me turne.
Për t’u përshtatur më lehtë, këshillohet që në ditët para ndryshimit të mbahet një orar sa më i rregullt gjumi, të shfrytëzohet drita natyrore gjatë ditës dhe të shmangen kafeina dhe vaktet e rënda në mbrëmje.
Aktiviteti i lehtë fizik gjithashtu mund të ndihmojë në ruajtjen e një gjumi më të mirë. /noa.al
