
Në kuadër të shënimit të Dita Ndërkombëtare e Gruas, Asambleja Parlamentare e NATO-s ka ftuar Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, që të ndajë një mesazh të veçantë për gratë dhe vajzat në mbarë botën.
Osmani është laureate e çmimit prestigjioz “Gratë për Paqe dhe Siguri 2025”, një vlerësim që jepet nga Asambleja Parlamentare e NATO-s për personalitetet që kontribuojnë në forcimin e rolit të grave në proceset e paqes, sigurisë dhe vendimmarrjes politike.
Ftesa për të përcjellë mesazhin në këtë ditë simbolike konsiderohet si një vlerësim i rëndësishëm ndërkombëtar për lidershipin e saj.
Në mesazhin e saj, Vjosa Osmani theksoi rëndësinë e përfshirjes së grave në vendimmarrje dhe në ndërtimin e shoqërive më të forta dhe më të qëndrueshme. Ajo nënvizoi se përvoja në shumë vende të botës ka dëshmuar se kur gratë janë pjesë aktive e proceseve politike dhe të sigurisë, rezultatet janë shoqëri më paqësore dhe më rezistente ndaj krizave.
Presidentja e Kosovës u bëri thirrje institucioneve dhe shoqërive që të vazhdojnë të investojnë në fuqizimin e grave dhe vajzave, duke theksuar se lidershipi i tyre është thelbësor për të ardhmen. Sipas saj, përfshirja e grave nuk duhet të shihet vetëm si çështje barazie, por si një domosdoshmëri për zhvillim të qëndrueshëm dhe për siguri globale.
“Gratë kanë qenë gjithmonë në vijën e parë të ndërtimit të paqes, të mbrojtjes së komuniteteve dhe të krijimit të mundësive për gjeneratat e ardhshme”, thuhet në mesazhin e saj drejtuar grave dhe vajzave në mbarë botën.
Nga ana tjetër, Asambleja Parlamentare e NATO-s në publikimin e saj theksoi se historia është e mbushur me gra që udhëheqin, frymëzojnë dhe kontribuojnë në ndërtimin e një bote më të sigurt. Në këtë kuadër, organizata ftoi publikun të bashkohet në festimin e grave që me lidershipin dhe angazhimin e tyre ndihmojnë në formësimin e një të ardhmeje më të qëndrueshme.
Ky mesazh i veçantë i presidentes së Kosovës u publikua pikërisht në ditën kur në mbarë botën shënohet Dita Ndërkombëtare e Gruas, një moment reflektimi mbi arritjet e grave dhe mbi sfidat që ende mbeten për barazinë dhe përfaqësimin e tyre në nivelet më të larta të vendimmarrjes.
Ftesa e bërë nga Asambleja Parlamentare e NATO-s dhe vlerësimi me çmimin “Gratë për Paqe dhe Siguri 2025” shihet nga shumë analistë si një tjetër moment i rëndësishëm për përfaqësimin ndërkombëtar të Kosovës dhe për promovimin e rolit të grave në diplomaci, politikë dhe siguri globale, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE
