
Eksperti i punësimit Erion Muça thotë se janë më shumë se 5500 vende pune të lira dhe se kjo është vetëm shifra e publikuar në platformën e Agjencisë Kombëtare të Punësimit.
I ftuar në një intervistë televizive, ai deklaroi se pozitiv është fakti se vendet vakante të punës po publikohen në numër dhe janë reale dhe nëse dikush interesohet se kush janë vendet reale apo të kërkojë ndërmjetësimin e Zyrës së Punës, rezulton se janë reale dhe mund të aksesohen.
Muça shtoi se kushdo që ka vështirësi për të gjetur një vend pune, mund ti drejtohet Zyrës së Punës, dhe se duhet të shihet mundësia reale që tregu i punës ka për të punësuar punonjës.
“5500 vende pune bosh janë vetëm ato që janë shfaqur nga Zyra e Punës, por vendet e punës janë shumë më shumë se aq, por për këtë gjë kërkohet të shihet në faqet e ndryshme të kompanive apo të institucioneve specifike.
Komunikimi apo rrjeti profesional ku secili nga ne duhet të jetë është një ndihmë shumë e madhe.
Së pari duhet bërë një ndarje mes punëve të thjeshta, punë që nuk kërkojnë formim apo aftësi të veçanta, por që mësohen instinktivisht që ditët e para të punës, si pastrues, roje, punonjës të thjeshtë në sektorin e ndërtimit, industrinë prodhuese dhe përpunuese, sektorin fason për të cilat ka kërkesa të vazhdueshme.
Kategoria e dytë është e zanateve ato që fitohen në mënyrë autodidakte, trashëgohen, apo me kurse, si teknik, elektroteknik, specialist panelesh diellore, mobilier, orëndreqës etj.
Janë të gjithë zanate që kanë kërkesë në treg, por shumica e këtyre shërbimeve ofrohen si shërbime në komunitet dhe familje.
Kategoria e tretë është ajo e profesioneve, që dikush i zotëron përmes mbarimit të universiteteve në një degë apo program të caktuar.
Kërkesë ka për inxhinier softuer, informatikë ekonomike si nevojë për të zhvilluar sipërmarrjen private në avancimin e dixhitalizuar.
Shkencat ekonomike, menaxhim biznes, marketing dhe financë dominojnë pjesën më të madhe të profesioneve.
Edhe profesionet e rregulluara si inxhinieria, arkitektët etj., janë mjaft të kërkuar.
Por vazhdon të mbetet dominonte pjesa e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, i cili ka edhe paga mjaft të larta.
Megjithatë ndërsa rritja e pagave ka ndodhur në sektorin shtetëror, kjo gjë nuk është reflektuar në sektorin privat.
Edhe ky sektor duhet të fillojë rritjen e pagave, pasi duhet rritje e diferencuar.”
