
Një person humbi jetën dhe dy policë u plagosën pas një shkëmbimi me armë zjarri në fshatin Overasselt, në lindje të Holandës, pranë kufirit me Gjermaninë. Policia lokale njoftoi se arrestoi 34 persona në kuadër të hetimeve.
Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit. Pamjet e kamerave të sigurisë, të publikuara nga gazeta holandeze De Telegraaf, tregojnë dhjetëra persona të maskuar, disa prej tyre të armatosur rëndë, duke lëvizur në një zonë të banuar. Më pas ata largohen pas shkëmbimit të zjarrit.
Policia bëri të ditur se mes 34 personave të arrestuar ka shtetas të Holandës, Francës, Belgjikës dhe Algjerisë. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave vijojnë.
Kryebashkiaku Joerie Minses deklaroi se komuniteti ishte përballur me “një formë ekstreme dhune, plotësisht të papranueshme”. Shefja e policisë holandeze, Janny Knol, e cilësoi incidentin si “të paprecedentë”.
Sipas policisë, dy efektivët e plagosur nuk ndodhen në gjendje kritike.
Mediat lokale raportojnë se autoritetet po shqyrtojnë një lidhje të mundshme të ngjarjes me Jos Leijdekkers, një prej personave më të kërkuar nga drejtësia holandeze. Ai është dënuar për trafik ndërkombëtar të kokainës dhe, sipas raportimeve të cituara, ndodhet aktualisht në Sierra Leone.
