
Një ngjarje e rëndë ka tronditur provincën e Beneventos në Itali, ku një konflikt brenda një familjeje ka përfunduar në një tragjedi me tre viktima.
Ngjarja e rëndë është regjistruar mëngjesin e së martës, 1 shtator, në një restorant-hotel në Apice, pak para se biznesi të hapej për klientët e drekës.
Sipas informacioneve paraprake të autoriteteve, njëri prej tre vëllezërve ka qëlluar me armë zjarri ndaj dy vëllezërve të tij dhe më pas ka kthyer armën ndaj vetes, duke i dhënë fund jetës.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë karabinierët dhe ekipet e emergjencës, por për tre vëllezërit nuk ka pasur mundësi shpëtimi.
Biznesi ku ndodhi tragjedia ishte në pronësi dhe administrohej nga tre vëllezërit, çka e bën edhe më të rëndë ngjarjen që tronditi komunitetin lokal.
Forcat e rendit kanë nisur hetimet për të rindërtuar dinamikën e plotë të ngjarjes dhe për të përcaktuar motivin që çoi në këtë krim të rëndë familjar.
Deri në këto momente, rrethanat e sakta dhe shkaku i konfliktit mes vëllezërve mbeten ende të paqarta.
