
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ilir Proda ka reaguar lidhur me masakrën në Shkodër të një dite më parë (8 Shtator) ku humbën jetën dy persona dhe u plagosën dy të tjerë.
Në një mesazh drejtuar efektivëve të Policisë Shkodër, kryepolici flet për arritje teksa shprehet se kanë vendosur në funksion të gjitha kapacitetet për zbardhjen e krimit.
“Policia i ka vënë të gjitha kapacitetet e saj më të mira hetimore dhe operacionale në funksion të zbardhjes së rrethanave dhe përgjegjësive në lidhje me krimin e djeshëm, por edhe të ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë, në qarkun Shkodër”, theksoi ai.
Proda vlerësoi punën e efektivëve që vendosën në pranga autorin e krimit Ragip Gila, i cili u arrestua teksa tentoi të arratisej pasi qëlloi me breshëri plumash drejt viktimave dhe të plagosurve brenda lokalit në qendër të qytetit.
Të nderuar kolegë të Policisë së Shkodrës,
Ju shpreh mirënjohjen për angazhimin tuaj maksimal gjatë këtij 24-orëshi intensiv për Policinë.
Reagimi juaj i menjëhershëm, i guximshëm dhe profesional rezultoi me kapjen dhe çuarjen përpara drejtësisë të autorit të krimit të djeshëm, ngjarje e cila dëshmoi sërish rëndësinë e misionit të Policisë, si përballja e parë frontale me krimin dhe kontingjentin e rrezikshëm të tij.
Gjej rastin që, nëpërmjet këtij mesazhi, të ngushëlloj familjarët e 2 viktimave, të uroj shërim të shpejtë për të lënduarit, si dhe t’i garantoj se Policia i ka vënë të gjitha kapacitetet e saj më të mira hetimore dhe operacionale në funksion të zbardhjes së rrethanave dhe përgjegjësive në lidhje me krimin e djeshëm, por edhe të ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë, në qarkun Shkodër.
Këtë vendosmëri e dëshmoi edhe goditja në lagjen “Guerrile”, ku informacioni i administruar me konfidencialitet të plotë dhe profesionalizmi operacional çuan në shkatërrimin e një baze kriminale, të pajisur me arsenal armësh dhe sende të tjera në dispozicion të krimit. Gjithashtu, çuan në identifikimin e 2 përkrahësve të autorit të krimit të djeshëm.
Së fundi, dua të garantoj qytetarët e qarkut Shkodër dhe të mbarë Shqipërisë se beteja jonë për sigurinë e tyre është e përditshme dhe e palëkundur, dhe se po kryhet një punë intensive hetimore dhe operacionale për të parandaluar ngjarjet kriminale dhe për të zbardhur ato të ndodhura.
Gjithashtu, i ftoj qytetarët të bashkëpunojnë intensivisht me strukturat e Policisë, pasi vetëm në këtë mënyrë përmbushet objektivi ynë madhor i përbashkët: siguria publike.”
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit,
Drejtues Madhor Ilir Proda, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE
