
Aktorja e njohur Egla Ceno, ka mbajtur një fjalim të ashpër gjatë protestës së sotme ku ndër të tjera foli kundër Reformës Territoriale dhe shkrirjes së Bashkisë së Poliçanit.
Ceno, e cila ditët e fundit është vënë në qendër të vëmendjes për përplasjen e saj direkte me kryeministrin Edi Rama në takimin e Beratit, ku sipas saj u nxor me urdhër të Ramës nga salla, i është bashkuar protestës.
“Ky kancer që e ka emrin Edi Rama, ky i neveritshëm, duhet të shporret se na lodhi shpirtin.
Mos u ndalni, mos u përçani. Në këtë shesh falenderoj të gjithë çunat dhe gocat. Ju lutem, mos u përçani, mos vendosni kufij në shesh, sepse ata këtë po presin.
Dua të bëj një thirrje të rëndësishme. Ju e dini që jam nga Poliçani. Ftoj të gjitha bashkitë në datë 8 para Parlamentit. I bëj thirrje Policisë së Shtetit të bëjë rolin e vet.
Unë do të jem aty për të mbrojtur Poliçanin, sepse Kushtetuta e vendit citon se territoret administrative nuk mund të lëvizin pa pëlqimin e qytetarëve që rrojnë në ato territore.
Qytetarët janë shprehur juridikisht, por nuk po e marrin parasysh, nuk po na dëgjojnë. Do të jem aty për ta mbrojtur këtë kauzë derisa të më shkelin, derisa të më dëgjojnë. Ju në shesh dhe unë në shesh nuk kemi për të ikur deri sa të japë dorëheqjen.”, tha ajo.
Kujtojmë se Poliçani është një nga 15 bashkitë që sipas draftit të mazhorancës për Reformën Territoriale 2.0 pritet të humbasë statusin si njësi e pavarur dhe të shkrihet.
