
Rrugët e Kosovës janë përgjakur edhe këtë javë, ku katër persona kanë humbur jetën si pasojë e aksidenteve të rënda të trafikut, ndërsa dhjetëra të tjerë kanë mbetur të lënduar.
Fundjava rezultoi veçanërisht tragjike, pasi vetëm gjatë së shtunës dhe të dielës u regjistruan tri viktima, duke e rënduar edhe më shumë bilancin e aksidenteve në vend.
25-vjeçari nga Peja humbi betejën për jetën
Bilanci tragjik nisi të premten, kur ndërroi jetë Alban Xhemajli, 25 vjeç nga Peja, i cili prej disa ditësh po trajtohej në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës pas një aksidenti të rëndë me motoçikletë në fshatin Raushiq.
I riu nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve për t’ia shpëtuar jetën.
Të shtunën, një tjetër jetë u shua në një aksident të rëndë në rrugën “Shkupi” në Prishtinë.
Në aksident u përfshinë dy automjete, ndërsa si pasojë një person humbi jetën, kurse një tjetër mbeti i lënduar dhe u dërgua për trajtim mjekësor.
Policia dhe Prokuroria nisën menjëherë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.
28-vjeçari vdes pas disa ditësh në QKUK
E diela nisi me një tjetër lajm tragjik. Një 28-vjeçar nga Gjilani ndërroi jetë në QKUK, pasi nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra në një aksident trafiku që kishte ndodhur disa ditë më parë.
Sipas të dhënave të autoriteteve, në momentin e aksidentit automjeti Mercedes drejtohej nga një 16-vjeçar, ndërsa hetimet për rastin vazhdojnë.
Një tjetër viktimë në Ferizaj
Po gjatë së dielës, një tjetër aksident fatal ndodhi në fshatin Muhovc të Ferizajt.
Një veturë me targa vendore doli nga rruga, ndërsa si pasojë një person humbi jetën dhe një tjetër mbeti i lënduar, duke u dërguar me urgjencë për trajtim mjekësor.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se Prokurori i Shtetit është njoftuar për rastin dhe hetimet janë në zhvillim për të sqaruar shkakun e aksidentit.
Brenda vetëm një jave, katër persona kanë humbur jetën si pasojë e aksidenteve të trafikut në Kosovë, ndërsa dhjetëra aksidente të tjera janë regjistruar me persona të lënduar dhe dëme materiale.
Ky bilanc tragjik vjen në një kohë kur Policia e Kosovës vazhdon të apelojë për kujdes maksimal në komunikacion, respektim të kufizimeve të shpejtësisë, shmangie të tejkalimeve të rrezikshme dhe mosdrejtim të automjeteve nën ndikimin e alkoolit apo substancave të tjera.
Rastet e kësaj jave rikthejnë edhe një herë shqetësimin për sigurinë rrugore në vend dhe nevojën për përgjegjësi më të madhe nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik, me qëllim parandalimin e humbjeve të tjera të jetëve njerëzore, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE
