LAJME / E Diel 21 Qershor 2026, 23:11

KALI I TROJES| Zbulohet pakti i fshehtë me Ramën: Pse Berisha po futet në protestë, çfarë

Ruajeni protestën nga Berishët…

Dy emra thirren bashkë në burg nga protesta, por jashtë saj i lidh i njëjti beton. Ndërsa Sali Berisha jep mbështetje nga distanca për protestën, pasuria e familjes së tij rrjedh nga pena e Edi Ramës. Kjo nuk është opozitë por një infiltrim që i shërben pikërisht atij që protesta kërkon ta rrëzojë.

Ka një gjë që nuk shkon në betimet e Sali Berishës se mbështet protestën qytetare. Një njeri që po thërret për rrëzimin e Edi Ramës është njëkohësisht njeriu pasuria e familjes të cilit, të paktën së fundmi varet, kullë pas kulle, leje pas leje, nga firma e Edi Ramës. Ky kontradiksion nuk është detaj. Është çelësi për të kuptuar pse familja Berisha nuk është aleate e revoltës, por Kali i Trojës i regjimit brenda saj.

Filloni nga roli që Berisha ka zgjedhur. Protestuesit nuk e duan atë. Nga foltorja deri te marshimet, qytetarët thërrasin “Berisha në burg” me të njëjtën forcë me të cilën thërrasin “Rama në burg”. Por në vend që ta respektojë këtë refuzim, Berisha kërkon t’i imponohet protestës nga jashtë, me statuse në Facebook, me deklarata nga grupi parlamentar dhe me thirrje “mbështetjeje” që demokratët të dalin masivisht, ndërsa vetë qëndron mënjanë “se është partiak”.

Pse kjo distancë e llogaritur? Sepse Berisha sot është person nën akuzë, i pandehur para Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit në dosjen “Partizani”, ku SPAK e akuzon për korrupsion pasiv dhe ku prokuroria ka konkluduar se nga afera u pastruan rreth pesë milionë euro. Një njeri i zënë ngushtë nga drejtësia ka nevojë urgjente për një valë popullore që ta mbulojë, dhe protesta qytetare i ra në dorë si dhuratë. Mbështetja e tij nuk është solidaritet por strehim.

Dhe është strehim i vonuar, sepse në ditët e para Berisha qëndroi në anën e gabuar. Kur protesta nisi, ai nuk u rreshtua me qytetarët, por e quajti lëvizjen lojë të orkestruar nga Edi Rama, duke përsëritur fjalë për fjalë tezën e regjimit. Televizioni i familjes së tij, Syri TV, i paraqiti protestuesit si “sorrosianë”, pra si provokatorë në shërbim të interesave të huaja. Pra në fillim familja Berisha nuk qëndronte përballë pushtetit, por përballë sheshit. Kthesa erdhi vetëm pasi lëvizja u rrit dhe protestuesit trokitën te dera e selisë së PD. Brenda pak ditësh, Berisha kaloi nga mohimi i protestës te përqafimi i saj. Berisha ndryshoi qëndrim sapo u tremb nga protestuesit që i shkuan te partia. Kush e sulmon një lëvizje kur është e vogël dhe e përqafon kur bëhet e madhe, nuk e mbështet atë. E gjuan për ta zënë.

Por strehimi është vetëm gjysma e historisë. Gjysma tjetër është beton, dhe ajo e tradhton plotësisht pretendimin se Berisha dhe Rama janë armiq. Vetë afera “Partizani”, nga e cila buron sot procesi gjyqësor, u bë e mundur nga firma e Edi Ramës. Më 8 qershor 2006, Këshilli i Rregullimit të Territorit i Bashkisë së Tiranës, i kryesuar nga kryebashkiaku i atëhershëm Edi Rama, ndryshoi destinacionin e truallit të kompleksit sportiv nga zonë sportive në zonë banimi. Në fund të vitit 2007, i njëjti këshill miratoi sheshin e ndërtimit me vendimin numër 136, që mban firmën e Edi Ramës, dhe pak muaj më vonë erdhi leja e parë e ndërtimit. Mbi këtë truall u ngritën rreth 17 deri 19 kulla, pasuria me të cilën sot krenohet dhëndri ”faqezi” i Berishës. Ironia është aq e madhe sa Berisha vetë, kur mbron veten, e thotë hapur: destinacioni u ndryshua me firmën e Edi Ramës, jo me të tijën. Pikërisht.

Partneriteti nuk mbaroi në vitin 2008 por vazhdoi me dekada. Sipas investigimeve të publikuara, përfshirë ato të botuara nga vetë Pamfleti, dhëndri i Berishës Jamarbër Malltezi ka marrë nga pushteti i Edi Ramës leje për të paktën dymbëdhjetë komplekse pallatesh dhe vilash në Tiranë dhe më gjerë, nga “Mangalem 21”, “Magnet”, “Kaimi”, “Kadiu”, “OXA” e deri te “Aba” dhe projekti në zonën e mbrojtur të Drilonit. Detaji më rrëqethës është kohëzgjatja e favorit: leje ndërtimi përmes kompanisë “Kontakt” i kanë ardhur Malltezit edhe gjatë kohës kur GJKKO e kishte në arrest shtëpie me kërkesë të SPAK. Ndërsa njëra dorë e shtetit e mbante të mbyllur në shtëpi si të akuzuar për korrupsion, dora tjetër e të njëjtit shtet i firmoste leje për kulla.

Nuk është vetëm dhëndri. Është edhe djali. Shkëlqim Beshiri, i identifikuar si prestanome i Shkëlzen Berishës, ka përfituar nën qeverisjen e Partisë Socialiste dhjetëra leje ndërtimi në Tiranë, Vlorë, Himarë dhe Sarandë. Më 17 nëntor 2025, kompania e tij “Klar” mori lejen për kullën më të lartë në vend, gjashtëdhjetë e pesë kate në Bulevardin e Ri të Tiranës. Po ky emër, përmes të njëjtës kompani, është përzgjedhur nga komisioni i drejtuar nga kryeministri Edi Rama për kullën pranë Pallatit të Kongreseve, mbi një lulishte publike. Sipas po këtyre raportimeve, përmes lidhjeve të familjes, Beshirit i është dhënë edhe statusi “investitor strategjik” për një kompleks mbi njëqind e nëntëmbëdhjetë hektarë tokë shtetërore në Gjirin e Lalzit, ku njëzet e tetë hektarë janë pyll me pisha buzë detit. Kujtojme edhe se pas një kulle të vetme në Tiranë qëndrojnë tre persona të shpallur “non grata”, Sali Berisha, Shkëlzen Berisha dhe ish-prokurori Adriatik Llalla.

Tani bashkojini pikat. Një familje pasuria e së cilës, së fundmi, rrjedh nga firma e Edi Ramës nuk mund të jetë maja e shtizës së një revolte kundër Edi Ramës. Kur kjo familje futet në protestë, çfarëdo qoftë forma, ajo kryen dy shërbime për regjimin njëkohësisht.

E para, e diskrediton lëvizjen, sepse Ramës nuk i duhet asgjë më shumë sesa ta paraqesë protestën qytetare si lojë të vjetër të Berishës, dhe çdo prani e njerëzve të tij ia jep këtë armë gati.

E dyta, e kap lëvizjen nga brenda, duke e kthyer kauzën antikorrupsion në një mjet të ngushtë kundër vetëm njërit korrupsion, atij të Ramës, ndërsa harron tjetrin, atë të familjes që ndan me Ramën të njëjtin pazar. Sido që ta marrësh, fituesi është Edi Rama. Prandaj familja Berisha, në protestë, nuk është opozitë. Është e infiltruara e Ramës.

Ja pse paralajmërimi për qytetarët e sheshit duhet të jetë i prerë. Mos e lejoni asnjë deklaratë, asnjë status, asnjë megafon, asnjë njeri të familjes Berisha të hyjë në protestën tuaj, sepse çdo gjë që ata sjellin aty i shërben në fund Edi Ramës.

Thirrja juaj “Rama në burg, Berisha në burg” nuk ishte rastësi as zemërim verbal. Ishte instinkti i saktë i një populli që e kuptoi se të dy emrat e ndan i njëjti rrjet pushteti, e njëjta hartë kullash, e njëjta logjikë ku shteti u përket atyre që e ndajnë, jo atyre që e mbushin sheshin. Mbajeni atë instinkt. Mos lejoni që armiqësia e shtirur mes Ramës dhe Berishës t’ju vjedhë të vetmen gjë që e keni vërtet tuajën: një protestë që nuk i përket asnjërit prej tyre.

Mos bini në kurthin e kundërt. Mosbesimi ndaj Berishës nuk është falje për Ramën, përkundrazi është e njëjta kërkesë drejtësie e shtrirë te të dy. Një lëvizje që do llogaridhënie për pasurinë e Ramës dhe për kullat e tij nuk mund të bëjë përjashtim për pasurinë e Berishës dhe për kullat e dhëndrit e të djalit të tij. Sheshi nuk ka nevojë për shpëtimtarë me mbiemër. Ka nevojë vetëm për qytetarë që nuk lejojnë askënd, as Ramën, as Berishën, të bëhet pronari i revoltës së tyre. /Pamfleti”, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE